Lajme

Hakeri pretendon se ka vjedhur të dhënat e 1 miliard qytetarëve në Kinë


Një haker ka pohuar se ka blerë një mori informacionesh personale për një miliard qytetarë kinezë nga policia e Shangait, për të cilat ekspertët e teknologjisë thonë se, nëse është e vërtetë, do të ishte një nga shkeljet më të mëdha të të dhënave në histori.

Përdoruesi anonim i internetit, i identifikuar si “ChinaDan”, në forumin e hakerëve Breach Forums javën e kaluar postoi ofertën për të shitur më shumë se 23 terrabyte (TB) të dhëna për 10 Bitcoin, ekuivalente me rreth 200 mijë dollarë.

“Në vitin 2022, baza e të dhënave të Policisë Kombëtare të Shangait (SHGA) u thye. Kjo bazë të dhënash përmban shumë TB të dhënash dhe informacione për miliarda qytetarë kinezë”, thuhet në postim.

“Bazat e të dhënave përmbajnë informacion për 1 miliard banorë kinezë dhe disa miliardë të dhëna të rasteve të regjistruara, duke përfshirë: emra, adresa, vendlindje, numrin kombëtar të ID-së, numrin celular, të gjitha detajet e krimit”.

Reuters nuk ishte në gjendje të verifikonte vërtetësinë e postimit.

Qeveria dhe departamenti i policisë së Shangait nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Zhao Changpeng, drejtori ekzekutiv i platformës së shkëmbimeve të kriptovalutave Binance

Reuters nuk arriti të kontaktonte hakerin e vetëshpallur, ChinaDan, por ndërkaq postimi u diskutua gjerësisht në platformat e mediave sociale Weibo dhe WeChat.

Zhao Changpeng, CEO i platformës së shkëmbimit të kriptovalutave “Binance”, të hënën tha se kompania e tij kishte rritur proceset e verifikimit të përdoruesve, pasi u zbulua shitja e të dhënave që u përkisnin 1 miliard banorëve të një vendi aziatik në dark web.

Pretendimi për një hakim të mundshëm vjen pasi Kina është zotuar të përmirësojë mbrojtjen e privatësisë së të dhënave të përdoruesve në internet, duke udhëzuar gjigantët e saj të teknologjisë për të siguruar ruajtje më të sigurt pas ankesave publike për keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin.

Vitin e kaluar, Kina miratoi ligje të reja që rregullojnë mënyrën se si duhet të trajtohen informacionet personale dhe të dhënat e krijuara brenda kufijve të saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore