Lajme

Hakerët koreano-veriorë mund të jenë pas vjedhjes 100 milionë dollarëshe të kriptove


Mbas vjedhjes së javës së kaluar, prej rreth 100 milionë dollarësh në kriptomonedha nga një kompani amerikane, mendohet se qëndrojnë hakerët koreano-veriorë.

E gjitha pasi regjimi shton përpjekjet për të siguruar financime për programet e veta bërthamore dhe balistike.

Më 23 qershor, asetet u vodhën nga Horizon Bridge, shërbim i operuar nga Harmony, i cili lejon transferimin e aseteve.

Të paktën ky është përfundimi i nxjerrë nga tri firma të hetuesisë digjitale.

Që nga grabitja, aktiviteti i hakerëve sugjeron se ata mund të jenë të lidhur me Korenë e Veriut.

Stili i sulmit dhe shpejtësia e lartë e pagesave të strukturuara të përdorura, për të errësuar origjinën e fondeve, janë të ngjashme me sulmet e mëparshme që iu atribuohen aktorëve të lidhur me Korenë e Veriut.

Një prej tyre mund të jetë Chainalysis, firmë që punon me Harmony për të hetuar sulmin. Një përfundim ky që është përkrahur edhe nga hetues të tjerë.

“Paraprakisht duket si një hakerim i Koresë së Veriut bazuar në sjelljen e transaksioneve”, ka thënë Nick Carlsen, ish-analist i FBI-së, i cili tani heton vjedhjet e kriptomonedhave të Koresë së Veriut.

Ka indikacione të forta se Grupi Lazarus i Koresë së Veriut mund të jetë përgjegjës për këtë vjedhje, bazuar në natyrën e hakerimit dhe pastrimit të mëvonshëm të fondeve të vjedhura, sipas një tjetër firme, Elliptic.

Ndërkohë, zyrtarët amerikanë kanë treguar se Lazarus kontrollohet nga Byroja e Përgjithshme e Zbulimit, organizata kryesore e inteligjencës së Koresë së Veriut.

Ajo është akuzuar për përfshirje në sulmet ransomware “WannaCry”, hakerime të bankave ndërkombëtare dhe llogarive të klientëve, si dhe sulmet kibernetike të vitit 2014 kundër Sony Pictures Entertainment.

Nëse konfirmohet, sulmi i javës së kaluar do të ishte i teti i këtij viti që mund t’i atribuohet Koresë së Veriut.

Vjedhjet përbëjnë 60 për qind të të gjitha fondeve të grabitura deri më tani këtë vit.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore