Hakan Fidan – Top diplomati i ri turk i lidhur me Shqipërinë dhe ish-shef i spiunazhit, që rregulloi raportet me Izraelit
Prej nëntorit 2015, diplomacia turke nuk njohu emër tjetër në krye, përveçse atij të Mevlut Çavusoglu, i cili e pati një 8-vjeçar të suksesshëm si drejtues i dikasterit të punëve të jashtme në Ankara.
Mirëpo, me mandatin e tretë historik, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka vendosur të shohë përpara në një tjetër dimension për diplomacinë e vendit të tij dhe pozitën ia ka besuar ish-shefit të Inteligjencës turke MIT, Hakan Fidan.
Një emër ky shumë i njohur dhe i diskutuar gjerësisht në Lindjen e Mesme, për rolin dhe funksionin.
Karriera e Fidan ka qenë ajo ushtarake fillimisht, pjesëmarrës në misione të ndryshme të NATO-s dhe i diplomuar më pas edhe në Universitetin e Maryland në SHBA, për Politikë dhe Shkenca të Menaxhmit.
Ndërsa, studimet doktorale, i mbaroi në International Relations Department at Bilkent University.
Ishte pikërisht jeta akademike, ajo e cila e tërhiqte më së shumti atë, ku ka mbajtur edhe pozita me rëndësi në Turqi për vite me radhë, por kulmin e arriti kur u bë drejtues i Inteligjencës turke, në vitin 2010, edhe pse mes polemikash, pasi u akuzua nga ministri izraelit i Mbrojtjes në atë kohë, Ehud Barak, se ai do t’i shërbente në realitet Irani.
Ndër vite mbajti disa poste koordinuese në Turqi, si drejtues i Agjencisë turke për Bashkëveprim dhe Koordinim, apo më tej si anëtar bordi i dy agjencive të specializuara të Kombeve të Bashkuara, siç janë IAEA dhe UNIDO.
Në kohë, ka qenë edhe këshilltar për sigurinë i Erdogan.
“Rojtari i sekreteve”.
Kështu e pati emërtuar presidenti turk 55-vjeçarin dikur – fjalë të cilat të sjellin në rrjedhën e të kthyerit të figurës së Fidan në top diplomatin turk tashmë.
Kjo, jo rastësisht, pasi në fund të vitit 2020, ai kishte në qendër të vëmendjes, si njeriu kyç, i cili do të shërbente për normalizimin e raporteve mes Turqisë dhe Izraelit.
Vëmendjen më parë, Fidan e pati marrë, si figurë kyçe në negociata me kurdët e PKK-së, kur një filmim i tij i një takimi negociues me eksponentë kurdë në Oslo, u bë publik.
Mirëpo ai ka qenë edhe figurë kontroverve në vitin 2013, kur u kthye në rivalin e Erdogan brenda forcës politike AKP e më tej në 2015-ën, kur u dorëhoq nga pozita e drejtuesit të MIT-së turke, për të garuar në zgjedhje. Por, brenda muajit, u rikthye në postin e lartë nga Erdogan.
Një raport i Al-Monitor, media e cila raporton në Lindjen e Mesme, i publikuar në nëntor 2020, do ta rikthente në vëmendje të madhe dhe do të tregonte se si Fidan, në detyrën e shefit turk të Inteligjencës, pati zhvilluar takime me zyrtarë të lartë izraelitë.
Zanafilla ishte nxitja e një përpjekje të Ankarasë për të normalizuar raportet mes vendeve.
Prej vitit 2018, në Izrael nuk ka pasur të dërguar turk, pasi Erdogan e tërhoqi ambasadorin nga Tel-Avivi, si shenjë revolte e vrasjes së dhjetëra palestinezëve në Gaza, gjatë disa protestave.
Më parë ka pasur po ashtu fërkime mes palëve, si rasti i vitit 2010, kur tensionet u bënë të mëdha, pasi Forcat izraelite sulmuan një anije turke, e cila kishte thyer bllokadën turke dhe po shkonte drejt Gazës, në zonat e kontrolluara nga Hamas, për të çuar ndihma humanitare.
Por prishja e raporteve me tërheqjen e ambasadorit erdhi në 2018-ën.
Kjo situatë zgjati katër vjet, kur vizitat e Fidan në Izrael, mendohet se kanë ndodhur në vitin 2020, pra dy vjet pas thyerjes së madhe.
Në tetor 2022, Erdogan caktoi ambasadorin e ri në Izrael, Sakir Ozkan Torunlar, një diplomat madhor turk, i cili kishte shërbyer më parë në Jerusalem si konsull i përgjithshëm.
Nën zë, merita qëndroi krejtësisht e Hakan Fidan, i cili kishte arritur të bashkonte palët dhe u etiketua si “ndërmjetësi i artë” për zgjidhjen e konfliktit.
Statura e tij ndërkaq u rrit edhe më tej, kur luajti rol në një ngjarje që do të korrte vëmendjen e botës, siç ishte edhe ekzekutimi i gjeneralit iranian, Qasem Soleimani, nga ana e SHBA-ve.
Pikërisht figura e Fidan, mori një rritje eksponenciale, pasi bashkëveprimit që pati me SHBA-të dhe veçanërisht Izraelin, për të eliminuar gjeneralin madhor iranian, i cili drejtonte divizionin Al Quds.
Po ashtu, ai ka treguar eksperiencë edhe në çështje madhore të sigurisë kombëtare turke, kur ka qenë i përfshirë në bisedime kyçe trilaterale me Rusinë dhe Sirinë, përfshi edhe zbritjen e tij konkrete në terren për të negociuar me vendet e përfshira në konfliktin e Sirisë.
Ndërkohë, Fidan e ka edhe një lidhje me Shqipërinë, pasi ai ka origjinë gjysmë-shqiptare.
Gjithçka pritet, është të shihet se si do ta vijojë dhe si do ta mbajë lart punën e nisur nga Çavusoglu për të bërë Turqinë faktor madhor në gjeopolitikën ndërkombëtare, në kushtet kur Ankaraja, e ka treguar veten si një pikë referimi me baza të shëndosha për ndërmjetësimin e situata kritike, përfshi edhe luftën në Ukrainë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Ekskluzive: Albin Kurti në tavolinë me Goran Vasiljeviç, të dyshuarin si bashkëpunëtor i BIA-s – i njëjti është punësuar edhe në Ministri te Liburn Aliu
-
Emrat e kundërshtarëve, Berisha: 12 drejtuesit e PD-së nuk kanë krahasim
-
Vizioni apokaliptik i Qeverisë izraelite: Shndërrimi i Bregut Perëndimor në Gaza
-
Mehaj: Një pjesëtar i FIT-it mund të krahasohet me 50 ushtarë të NATO-s