Kosova

Hajdari: Deputetit Hoti i pengojnë të arriturat e Qeverisë


Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotiit, “po i pengojnë” të arriturat e Qeverisë, madje edhe ato që Raporti i Progresit i Komisionit Evropian i vlerëson si progres.

“Deputetit Hoti tenton ta zbeh me analiza të pabaza klimën e të bërit biznes në Kosovë. Me fjalë të tij, ai nuk mund të sfidoj as punën tonë dhe as ekspertët të cilët me analiza e diagnostikifim të mirëfilltë me evidencë në detaje e me shumë kujdes punojnë në përpilimin e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian”, ka shkruar ajo në Facebook.

Hajdari ka theksuar se Raporti i Progresit për Kosovën, për periudhën qershor 2022 – qershor 2023, i publikuar nga Komisioni Evropian në nëntor të këtij viti, vuri në pah angazhimin e Qeverisë për të përmirësuar klimën e të bërit biznes në vend.

“Madje, vet raporti thekson se Kosova ka shënuar progres në klimën e të bërit biznes, duke shtuar se, progres ka pasur edhe në zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale. Tutje, po në këtë raport tejet të rëndësishëm për Kosovën, theksohen masat dhe veprimet konkrete të Qeverisë, të cilat do të kenë ndikim të drejtpërdrejt për përmirësimin e mëtejmë të klimës së të bërit biznes”.

Po ashtu ajo ka shtuar se puna e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë fhe Tregtisë, “është vlerësuar lartë” në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për periudhën qershor 2022-qershor 2023, duke potencuar se “,e prioritet të lartë i sollëm reformat e shumëpritura në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA)”.

“Vijuam me plotësimin e zbrazëtirave në kornizën legjislative në përmirësimin e ambientit për të bërit biznes, klimën e investimeve, mbrojtjen e konkurrencës, reformën në mbikëqyrjen e tregut, fuqizimin e mbrojtjes së pronësisë industriale, dhe turizmin e qëndrueshëm – duke arritur miratimin e 16 ligjeve dhe 35 akteve nënligjore në harmoni me parimet e standardet ndërkombëtare dhe direktivat e BE-së”.

Prandaj, ajo ka potencuar se disa nga reformat dhe masat e ndërmarra nga Qeveria Kurti, të theksuara qartazi në një raport me kredibilitet të lartë sikurse Raporti i Progresit i Komisionit Evropian, nuk mund t’i zbeh “analiza e pabazuar” dhe e paqëndrueshme e Avdullah Hotit.

Ndryshe, Hoti ka theksuar se ambienti për biznes në vitin 2023 është përkeqësuar në të gjitha aspektet krahasuar me vitin 2017.

“Të gjithë treguesit, pa asnjë përjashtim, janë përkeqësuar. Migrimi i fuqisë punëtore ka dalë të jetë pengesa kryesore”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore