Lajme

Hajdari: Afër 30 biznese të reja u regjistruan në Veri


Rozeta Hajdari.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, ka thënë se afër 30 biznese të reja janë regjistruar në komunat në Veri të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur Hajdari, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Që nga data 25 janar 2024, kur u bë hapja dhe funksionalizimi i zyrave të Agjencisë Për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), në komunat Mitrovicë Veriore dhe Leposaviq, janë regjistruar 26 biznese të reja”.

“Marrëveshja për hapjen dhe konsolidimin e zyrave të ARBK-së në mes të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Mitrovicës Veriore dhe Leposaviqit, u nënshkrua më 25 janar 2024, përmes së cilës marrëveshje, përveç regjistrimit të bizneseve të reja po ofrohen edhe shërbime të tjera për bizneset në këto dy komuna”, ka shkruar ajo.

Mbi 300 biznese figurojnë të regjistruara në katër komunat me shumicë serbe në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), në Veri janë gjithsej “374 biznese të regjistruara”.

Por, kur ishte pyetur ATK-ja lidhur me bizneset e paregjistruara e njëjta kishte refuzuar të jap shifra.

Bazuar në hulumtimin e Institutit Kosovar për Studime të Avancuara – GAP, në marsin e vitit 2023 në Kosovë ishin rreth 97 mijë biznese aktive.

Nga ky numër, 5 mijë e 253 biznese ishin në pronësi të pjesëtarëve të komuniteteve pakicë, nga të cilat 30 për qind ishin në pronësi të pjesëtarëve të komunitetit serb.

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe ATK-në, gjatë dy muajve të fundit ka kryer disa bastisje në depo apo shitore në katër komuna në Veri të Kosovës, pasi ka marrë informacione se ato operojnë ilegalisht.

Më 27 dhjetor, Policia e Kosovës kishte kryer bastisje në tetë  lokacione në Veri.

Ku kishte gjetur se gjashtë (6) biznese janë të paregjistruar, me ç’rast ka rezultuar në konfiskimin e një sasie të madhe malli.

Këtu përfshihen, ndër të tjera, pijet alkoolike dhe joalkoolike, mjete piroteknike, cigare, çakmakë, ëmbëlsira, snacket, vaji i ullirit, por edhe lodrat për fëmijë.

Në njoftim bëhej e ditur se lidhur me rastin të gjitha veprimet hetimore kanë qenë në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore