Kosova

Hagë: Prokuroria parashikoi se i duhen mbi 234 orë për të intervistuar 12 dëshmitarët e parë në rastin e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit


Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ka njoftuar se i duhen 234 orë e gjysmë për të intervistuar 12 dëshmitarët e parë në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Gjatë konferencës për medie, përmes platformës Zoom, të enjten, Doyle ka bërë të ditur se në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, trupi gjykues nxori Vendimin e Gjashtë mbi Pjesëmarrjen e Viktimave më 8 mars, ndërsa tha versioni i redaktuar publik doli të premten e javës së kaluar.

“Në Vendim, gjykatësit pranuan tre parashtrues të tjerë kërkesash si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor, të cilët do të përfshihen në grupin ekzistues të viktimave pjesëmarrëse dhe do të përfaqësohen nga i njëjti mbrojtës viktimash. Bashkë me ta, numri i gjithsejtë i viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje gjyqësore arrin në 140”, tha Doyle.

Sipas tij, kryetarja e DHSK-së, Ekaterina Trendafilova, caktoi Panelin e Gjykatës së Apelit për të vendosur në lidhje me apelin e paraqitur nga një mbrojtës që përfaqëson 19 persona të cilëve iu rrëzua kërkesa për të marrë pjesë si viktima në procesin gjyqësor, raporton Betimi për Drejtësi.

“Në vijim të një urdhri të Trupit Gjykues në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerë, Prokuroria dorëzoi më 10 mars informacion për kohën që parashikon se do të nevojitet për marrjen në pyetje të 12 dëshmitarëve të parë në këtë çështje gjyqësore nga Prokuroria, Mbrojtja dhe mbrojtësi i viktimave. Prokuroria parashikon se do të nevojiten gjithsej 234 orë e gjysmë për marrjen në pyetje të këtyre dëshmitarëve”, bëri të ditur ai.

Doyle ka thënë se në bazë të Rregullores dhe Urdhrit të Trupit Gjykues mbi Zhvillimin e Procesit, çdo dëshmitar i thirrur nga Prokuroria do të pyetet në fillim prej Prokurorisë.

“Më pas mbrojtësi i viktimave do të ketë mundësi t’i bëjë pyetje dëshmitarit, me kërkesë, dhe nëse e lejojnë gjykatësit. Pas kësaj, mbrojtësit e të akuzuarve do të kenë mundësi t’i bëjnë pyetje dëshmitarit dhe, në përputhje me Rregulloren, Trupi Gjykues gjithashtu mund t’i drejtojë pyetje dëshmitarit”, tha tutje ai.

“Konferenca për ecurinë e çështjes gjyqësore do të mbahet më 20 mars”, njoftoi Doyle.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore