Shqipëria

Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko për BIS-in: “2020 vit i vështirë dhe sfidues për Shqipërinë”


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka prezantuar të mërkurën e 21 prillit Raportin Vjetor 2020 për Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave pranë BIS-it.

Banka për Zgjidhjet Ndërkombëtare (BIS) është një institucion financiar ndërkombëtar në pronësi të bankave qendrore që “mbështet bashkëpunimin monetar dhe financiar ndërkombëtar.

Sipas Sejkos, 2020 ishte një vit i vështirë dhe sfidues për Shqipërinë, i shënjuar nga ndikimi negativ i pandemisë COVID-19. Masat e marra në vendin tonë, shtoi Sejko, për të përmbajtur pandeminë, së bashku me pasiguritë e rritura, e çuan ekonominë shqiptare drejt recesionit.

“Treguesit e bilanceve ekonomike u përkeqësuan: deficiti korent u zgjerua; të ardhurat e buxhetit ranë; borxhi publik u ngrit; ndërsa ekuilibrat e operatorëve bankarë dhe të sektorit financiar u vunë nën presion”, tha Guvernatori.

Ai solli në vëmendje shifrat e publikuara nga INSTAT për vitin 2020, të cilat japin një pamje më të detajuar të ndikimit të kësaj krize në ekonominë shqiptare. Vëllimi i aktivitetit ekonomik u tkurr me 3.3% dhe shkalla e papunësisë u rrit në 11.8%.

Sakaq, Sejko deklaroi se kriza ka goditur veçanërisht konsumin privat dhe flukset tregtare, ku eksportet e mallrave dhe shërbimeve ranë.

“Nga ana tjetër, konsumi dhe investimet publike kanë ardhur në rritje, duke kompensuar pjesërisht uljen e kërkesës private. Rritja e shpenzimeve të buxhetuara, paralelisht me rënien e të ardhurave fiskale çoi në një rritje të deficitit buxhetor dhe borxhit publik. Në fund të vitit 2020, borxhi publik ndaj PBB-së arriti në 76.1%, nga 66.3% në fund të vitit 2019”, sqaroi Guvernatori i BSH-së.

Nga të dhënat e raportit ndikimi negativ maksimal i krizës u shfaq në tremujorin e dytë, ndërsa dy tremujorët e ardhshëm regjistruan një përmirësim gradual të treguesve ekonomikë, megjithëse mbetën nën nivelet e regjistruara në vitin e kaluar.

“Pandemia COVID-19 është sfida më serioze ekonomike me të cilën jemi përballur gjatë dy dekadave të fundit”, tha Sejko.

Sipas tij, në këto rrethana, ndërhyrja e autoriteteve publike me masa të jashtëzakonshme stimuluese ishte e domosdoshme, për të zbutur efektin negativ të menjëhershëm të krizave dhe për të përmbajtur ndikimin e saj afatgjatë në ekonomi.

Banka e Shqipërisë, tha Sejko, brenda juridiksionit të saj, nisi një paketë gjithëpërfshirëse të masave, e cila konsistonte në uljen e normës bazë të interesit në minimumin historik prej 0.5%.

Rritja e injeksioneve të likuiditetit, përmes miratimit të një strategjie operacionale e cila mundësoi injektimin e pakufizuar të likuiditetit në tregun ndërbankar.

Masat rregullatore, sipas tij, inkurajuan zgjatjen e përkohshme të pagesave të kredisë për klientët në vështirësi dhe ristrukturimin e kredive për klientët që paraqiten me perspektiva të qëndrueshme biznesi, por po përballeshin me vështirësi financiare afatshkurtra dhe afatmesme.

“Pezullimi i shpërndarjes së fitimit në sektorin bankar, për të rritur kapacitetet amortizuese të sektorit kundër tronditjes dhe eliminimi i kostove në përdorimin e platformave elektronike të pagesave të operuara nga Banka e Shqipërisë, që synojnë uljen e kostove fizike, rritjen e përdorimit të pagesave elektronike dhe administrimin më të mirë të kërkesave për para në ekonomi”, shtoi Sejko.

Së fundi, Sejko shtoi se BSH-ja u angazhua në një komunikim më të shpeshtë dhe transparent me publikun, për masat e ndërmarra, efektin e tyre dhe pritshmëritë për të ardhmen.

Në përgjithësi, vlerësimet tona, thotë ai, sugjerojnë se politika jonë monetare simuluese ka dhënë një efekt pozitiv prej 3.7 pikë përqindje në aktivitetin ekonomik gjatë katër viteve të fundit, duke dhënë një kontribut të dukshëm në punësimin dhe mirëqenien e familjeve shqiptare.

“Së dyti, kujton Sejko, mbikëqyrja dhe monitorimi i kujdesshëm i performancës së sistemit bankar, komunikimi intensiv dhe i vazhdueshëm me të dhe pezullimi i përkohshëm i ndarjes së fitimit, i kanë shërbyer mirëmbajtjes së një sistemi bankar likuid dhe të mirëkapitalizuar me praktika të shëndosha për administrimin e rreziqeve”.

“Së treti, rritja e kapaciteteve operacionale për furnizimin me para të gatshme të ekonomisë, garancia për funksionimin e pandërprerë të sistemit kombëtar të pagesave dhe ulja e kostove të pagesave elektronike në lekë, mundësuan funksionimin e qetë të sistemit financiar”, sqaroi Guvernatori Sejko.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore