Grupi (i) F(errit) në Euro 2020

SHFLETO
Romario Ismailaj
15.06.2021 9:00
Loading Icons...

Grupi i skuadrave, i cilësuar si “i ferrit”, do të zbresë sot në fushë, për të luajtur përballjet në kuadrin e Kampionatit Europian, Euro 2020.

Katër ekipet që i përkasin Grupit F janë: Franca, Gjermania, Portugalia dhe Hungaria.

Franca vjen me statusin e kampionit të Kupës së Botës 2018. Nga ana tjetër, Gjermania, ishte kampionia e Kupës së Botës katër vite më parë se Kombëtarja e “gjelave”. Së bashku me Spanjën janë kombëtarja që e kanë fituar më së shumti Evropianin, tri herë.

Por, edhe ekipi tjetër i grupit të “ferrit”, Portugalia, ka një detyrë të vështirë, pasi është kampion në fuqi i Evropianit dhe duhet ta mbrojë titullin. Portugezët mposhtën Francën në finalen e Euro 2016.

Hungaria është skuadra më e dobët në letër e këtij grupi, por “kurrë mos thuaj kurrë”, pasi në ndeshje teke, gjithçka mund të ndodhë. Mbi të gjitha, hungarezët janë edhe skuadër pritëse e Euro 2020.

“Puskas Arena” do të jetë stadiumi i vetëm që do të hapet në 100% të kapacitetit dhe mbështetja nga tifozët do të jetë maksimale.

Ndeshja e parë, që do të luhet në Grupin F të Euro 2020, do të jetë midis Hungarisë dhe Portugalisë, duke filluar nga ora 18:00.

Dy skuadrat janë përballur edhe në fazën e grupeve në Euro 2016. Ndeshja përfundoi në barazim 3-3, ku hungarezët kaluan tri herë në avantazh dhe u barazuan. Ky barazim i dha mundësinë Portugalisë të kualifikohej më tej dhe më pas ata u shpallën kampionë.

Në total, Portugalia e ka herën e tetë që do të jetë pjesë e Evropianit, ndërsa Hungaria herën e katërt. Për portugezët ka një trofe dhe një finale të humbur në 2004. Hungaria nuk ka arritur të shkojë asnjëherë në finale.

Ndeshja e dytë në Grupin F

“Allianz Arena” do të presë atë që cilësohet “finale e parakohshme”, përballjen mes Francës dhe Gjermanisë.

Për herë të fundit, këto ekipe janë përballur në Ligën e Kombeve në vitin 2018. Ndeshja mes “gjelave” dhe “panzerave” përfundoi në barazim pa gola dhe një tjetër në favor të francezëve me rezultatin 2-1.

Në Evropian, ndeshja e fundit mes dy kombëtareve ka qenë në gjysmëfinalen e Euro 2016, ku Franca fitoi me rezultatin 2-0.

Për Francën, kjo do të jetë hera e 10-të që merr pjesë në Evropian, nga të cilat dy herë ka arritur të triumfojë, në Euro 1984 dhe 2000, ndërsa ka humbur finalen e 2016-s.

Gjermania e ka të 13-n herë që kualifikohet në Evropian, më shumë se çdo vend tjetër. Gjermanët kanë fituar Euro 1972, 1980 dhe 1996, ndërsa kanë humbur finalet e Euro 1976, 1992 dhe 2008.