Lajme

Gruhonjiç: Perëndimi s’duhet të jetë i kënaqur nga njohja e targave – Vuçiç planifikon të provokojë luftë në Kosovë


Ilustrim

Dinko Gruhonjiç, kryetar i Asociacionit të Pavarur të Gazetarëve të Vojvodinës (NDNV), deklaroi se vendimi për njohjen reciproke të targave të automjeteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është lajm i mirë për qytetarët e të dy vendeve, por se bashkësia e organizuar ndërkombëtare nuk duhet të jetë e kënaqur nga “lëshimet e vogla” të autoriteteve serbe.

Në një prononcim për gazetën serbe “Danas” të dielën, ai theksoi se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, planifikon të provokojë luftë në Kosovë, ndërsa shtoi se ai përdor Kosovën si “valutë për ryshfet” nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare, prandaj edhe duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë “lojërave dhe makinacioneve” të presidentit serb.

“Perëndimi nuk duhet të jetë i kënaqur nga lëshimet e vogla të Vuçiçit, ndërkohë që ai planifikon njëkohësisht të provokojë luftë në Kosovë dhe po bën gjithçka për të ndezur fitilin e fuçisë së barutit në rajon”, paralajmëroi Gruhonjiç, i cili shtoi se presidenti serb e kupton vetëm gjuhën e presionit, derisa vazhdon ta portretizojë veten si “stabilokrat”.

Dinko Gruhonjiç

“Në këtë mënyrë, ai vazhdon ta portretizojë veten si një ‘stabilokrat’, i cili është i gatshëm t’i thotë para së gjithash Perëndimit se është dakord me lloje të ndryshme kompromisesh për Kosovën. Por Vuçiç, si autoritetet e tjera në Serbi, kupton vetëm politikën e presionit të jashtëm dhe është ora e fundit që Perëndimi të ndalojë së ushqyeri iluzionet”, tha ai.

Qeveria e Kosovës miratoi të enjten e 4 janarit vendimin për largimin e regjimit të letrave ngjitëse/stikerave nga veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territorin kosovar, derisa e cilësoi “akt të fqinjësisë së mirë” – hap pozitiv në zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve që lidhen me lëvizjen e lirë.

Ky hap erdhi pas vendimit të Serbisë për të lejuar lëvizjen e lirë të të gjitha automjeteve nga Kosova në territorin serb nga 1 janari 2024, pa obligimin që mbishkrimi RKS (Republika e Kosovës) të mbulohet me letër ngjitëse, megjithëse autoritetet serbe kanë insistuar se kjo nuk duhet të kuptohet si njohje de facto e pavarësisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore