Kosova

Grubi: Zhvillimet në Veri i erdhën Vuçiç-it si Bingo


Artan Grubi

Zëvëndëskryeministri shqiptar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, në një intervistë për “Tv Klan”, këtë të enjte ka thënë se zhvillimet që ndodhën në Veri të Kosovës i kanë ardhur si një dhuratë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Këto zhvillime i erdhën Presidentit Vuçiç si një bingo për arsye të protestave të mëdha në Serbi kundër qeverisë dhe kundër Presidentit Vuçiç. Opinioni publik në Serbi është defokusuar tërësisht. Nuk shoh asgjë serioze, asnjë shqetësim për Presidentin Vuçiç dhe po tenton të krijojë një krizë të shpifur në veriun e Kosovës”, ka deklaruar Grubi.

Ndërkaq, ai beson se në vlerësimin e tij situata në Veri të Kosovës nuk shihet “si shumë të rrezikshme”, duke shtuar se “me shumë keqardhje i ndoqëm zhvillimet atje në veri dhe më vjen shumë keq për veprimet e dhunshme të serbëve atje në veri”.

Zëvendëskryeministri shqiptar në qeverinë maqedonase tregoi se për ngjarjet në Veri nuk ka pasur kontakte me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Jo. As Kurti me ne, as ne me Kurtin”.

I pyetur se cili duhet të jetë qëndrimi i kryeministrit Kurti për këtë çështje, ai zgjodhi që të përmendte veprimet e kryetarit të partisë së tij (Bashkimi Demokratik për Integrim), Ali Ahmeti, që sipas tij kreu i ekzekutivit kosovar duhej t’i ndiqte.

“Ali Ahmeti që nga themelimi i partisë së tij nuk ka marrë një vendim të vetëm pa u konsultuar me SHBA. Vendime të mëdha flasim. Për çdo gjë kemi kërkuar pranim në ambasadën amerikane dhe në atë të BE, por kryesisht në atë amerikane. Vlerësoj që Kurti dhe qeveria e Kosovës do duhet të bashkërendojnë aktivitetet e veta afër me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian”.

Grubi theksoi se zhvillimet në Kosovë afektojnë edhe në Maqedoninë e Veriut, dhe kjo jo vetëm tek shqiptarët që janë një numër i konsiderueshëm atje, por ai thotë se kjo ka ndikim edhe tek vetë maqedonasit, sepse siç thotë ai “e shohin si një faktor qoftë konstruktiv, qoftë destabilizues, varësisht nga zhvillimi”.

“Çdo zhvillim në Kosovë ka ndikim të jashtëzakonshëm në Maqedoni dhe ngjall drojë shumë të madhe tek bashkëqytetarët tanë maqedonas sepse në mendjen e tyre lufta e vitit ’98 dhe ’99 në Kosovë prodhoi luftën e vitit 2001 në Maqedoni”, pohoi ai.

I pyetur nëse ka ndonjë krizë në mes të Kurtit dhe shqiptarëve në Maqedonisë së Veriut dhe të vetë Shqipërisë, për shkak të moskomunikimit, ai pohon se ndoshta kjo është duke ndodhur për shkak se “nuk ka kohë, ndoshta është shumë i zënë Kryeministri Kurti”.

“Kontakti i vetëm ka qenë vetëm për ministrin e Brendshëm. Jashtë kësaj asnjë komunikim zyrtar as nga ambasada as nga qeveria e Kosovës. Do kishim dashur që t’ju dalim në ndihmë”.

Tutje, ai tregon se ka pasur kërkesë nga ndërkombëtarët që të ndërmjetësojnë me qeverinë e Kosovës pas situatës së krijuar.

“Po po. Sot isha në ditën kombëtare të Italisë, prej atje po vij, dhe temë kryesore ishin zhvillimet në Kosovë dhe se a kemi kontaktuar ne me autoritetet dhe se a mund të ndikojmë me kontaktet tona që kemi në Kosovë që të ulen tensionet në veri dhe të rikthehen palët në tavolinë”, bën me dije ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore