Lajme

Grubi, VMRO-DPMNE-së: Heqim dorë nga kryeministri shqiptar, votoni për ndryshimet kushtetuese


Kuvendi i Maqedonise se Veriut

Zëvendëskryeministri shqiptar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka thënë se, pas dorëheqjeve të dorëzuara të të gjithë ministrave të Bashkimit Demokratik për Integrim, janë të gatshëm që të heqin dorë edhe nga kryeministri shqiptar me qëllim që opozita maqedonase t’i votojë ndryshimet kushtetuese – të domosdoshme për integrimin evropian.

“Nëse duan, që të njëjtën ditë mund të votojmë edhe shpërbërje të Kuvendit dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, të njëjtën ditë kur t’i votojmë ndryshimet kushtetuese”, deklaroi Grubi, transmeton “Tv21”.

“Po ashtu jemi të gatshëm që të gjithë ne të japim dorëheqje dhe e bëmë këtë, ia dorëzuam kryeministrit, po ashtu të heqim dorë nga kryeministri i parë shqiptar në qeverinë e RMV-së me qëllim të vetëm që ta shohim shtetin tonë në BE”, propozoi ofertën Grubi, duke u tërhequr kështu nga premtimi kryesor që BDI-ja kishte pasur në fushatën zgjedhore në vitin 2020.

Këto mesazhe të Grubit ishin për partinë më të madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE – e cila është shprehur kundër ndryshimeve kushtetuese – njohjes së bullgarëve në Maqedoni të Veriut si entitet i veçantë.

Për të dhënë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këto ndryshime, në Maqedoninë e Veriut erdhi edhe i Dërguari Special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, mirëpo edhe pas takimit më të VMRO-DPMNE nuk ka ndryshuar qëndrim.

Hristijan Mickoski – lideri i VMRO-DPMNE-së përsërit qëndrimin e tij se në kushte të tilla janë kundër këtyre ndryshimeve kushtetuese, dhe shtoi se nëse jo në zgjedhje të parakohshme, atëherë në zgjedhjet e rregullta “do ta rrëzojnë këtë qeveri”.

“Patjetër këtë pranverë do të kemi zgjedhje të rregullta, qëllimi ynë është që të kemi sa më shpejtë që është e mundur zgjedhje, përkatësisht disa muaj më parë për të ardhur qeveri me legjitimitet nga populli dhe kjo qeveri pa legjitimitet të popullit dhe pa kredibilitet politik, e barabartë me zero, nuk mund të realizojë reforma, nuk mund ta përafrojë Maqedoninë në rrugën drejt BE-së”, tha ai.

Por, përkundër kësaj, zëvendëskryeministri Grubi beson se VMRO-DPMNE-ja do të inkurajohet, se ka kapacitet demokratik duke pasur parasysh se është parti pro evropiane dhe se do të rreshtohet në linjë me Uashington dhe Bruksel dhe do të votojë për ndryshimet kushtetuese.

Seanca për ndryshimet kushtetuese ka filluar me 18 gusht dhe nuk dihet sa do të zgjas.

Për këtë, Maqedoninë e Veriut e ka vizituar i Dërguari Special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ku është takuar me krerët shtetërorë dhe opozitën.

Escobar ka bërë me dije se shteti që ai përfaqëson mbështet fuqishëm ndryshimet kushtetuese të cilat janë të nevojshme për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Më këto ndryshime kushtetuese – në bazë të propozimit francez – bullgarët njihen si entitet i veçantë në Maqedoni të Veriut – kërkesë eksplicite e Bullgarisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore