Lajme

Grubi thotë se Kurti nuk do të ketë sukses me ndërhyrjet në zgjedhjet e RMV-së


Zëvendës kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, deklaroi se Kosova ka ndërhyrë në proceset zgjedhore të RMV-së dhe Shqipërisë, duke mos qenë asnjëherë e suksesshme.

Lajmi u bë i ditur gjatë një interviste për transmetuesin “Radiotelevizioni 21”.

Sipas Grubit, kryeministri kosovar Albin Kurti kishte dërguar ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliun për t’i shpjeguar disa gjëra kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.

“Kishte ardhur me kërkesën e kryeministrit të Kosovës, për ta shpjeguar këtë çështje dhe në fakt u pa që vlerësoi që u bë gabim, dhe u vu vizita e kryeministrit të Kosovës, në kontekst të formimit të partiçkave të vogla minore të shqiptarëve me nga një deputet, dy deputet dhe për t’iu dhënë krah atyre. Gabime të tilla nuk është që janë bërë vetëm këtë herë, janë bërë edhe në të kaluarën”, u shpreh fillimisht zyrtari i lartë.

Numri dy i qeverisë maqedonase theksoi se nga RMV-ja nuk ka pasur asnjëherë ndërhyrje në proceset zgjedhore në Kosovë, apo edhe në politikat ndërpartiake në Kosovë.

“As edhe nga Shqipëria nuk ka pasur ndërhyrje as në Maqedoni as edhe në Kosovë por nga Kosova ka pasur ndërhyrje edhe në Maqedoninë e Veriut edhe në Shqipëri që nuk ka ndodhur ndonjëherë në histori”, shtoi Grubi.

Zëvendës kryeministri i Maqedonisë së Veriut garantoi se asnjëherë nuk ka ndodhur që të ndërhyjnë në proceset zgjedhore.

“E kundërta po që nga themelimi i partisë këtu në Kosovë në të gjitha proceset zgjedhore ka pasur ndërhyrje nga ana e Kosovës por kanë dështuar asnjëherë s’ka pasur sukses”, ravijëzoi në përmbyllje Grubi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore