Lajme

Gruaja e El Chapo-s rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm


Gruaja e lordit të drogës meksikane Joaquín “El Chapo” Guzmán është paraqitur ditën e mërkurë para gjykatës së Washington DC.

Emma Coronel Aispuro, 31 vjeçe, akuzohet se ka ndihmuar Guzman në drejtimin e kartelit të drogës Sinaloa. Ajo akuzohet edhe për ndihmë në arratisjen e tij nga burgu, në vitin 2015.

Ajo u deklarua fajtore për një sërë akuzash përfshirë komplotin për shpërndarjen e drogave të paligjshme.

Guzman, 63 vjeç, aktualisht po vuan një dënim të përjetshëm për trafik droge dhe pastrim parash në Kolorado.

Autoritetet thonë se karteli Sinaloa ishte furnizuesi më i madh i drogës në SHBA.

Gjyqi i Guzman-it, në 2019-ën, paraqiti zbulime tronditëse për jetën e tij. Që nga drogimi dhe përdhunimi i vajzave të moshës 13 vjeçe deri te kryerja e vrasjeve me gjak të ftohtë të ish-anëtarëve dhe rivalëve të kartelit.

Coronel Aispuro, një ish-miss bukurie, u arrestua në Aeroportin Ndërkombëtar Dulles në Uashington DC, në shkurt. Ajo u akuzua për shpërndarjen e 5 kilogramëve ose më shumë kokainë, 1 kilogramë ose më shumë heroinë, 500 gramë ose më shumë metamfetaminë dhe 1 mijë kilogramë ose më shumë kanabis.

Ajo akuzohet po ashtu se ka luajtur një rol kryesor në arratisjen e burrit të saj nga burgu në vitin 2015.

Burime pranë çështjes u kanë thënë disa agjencive të lajmeve se Coronel Aispuro do të deklarohet fajtore për të paktën disa prej akuzave. Ajo mund të përballet me burgim të përjetshëm dhe të gjobitet deri në 10 milionë dollarë.

Kush është Emma Coronel Aispuro?

Zonja Coronel Aispuro është një shtetase meksikane, por ka edhe pasaporte amerikane. Ajo ka qenë fituese e konkursit të bukurisë, ka studiuar për gazetari dhe është nëna e binjakëve me Guzman. Sipas intervistave të mëparshme dhënë mediave amerikane, ajo së pari u takua me bosin e drogës në një festival, kur ajo ishte 17 vjeçe dhe ai 49.

Ajo ndoqi pothuajse çdo ditë të gjyqit tremujor të burrit të saj në New York, gjatë së cilës dëgjoi jo vetëm dëshmi të zymta të vrasjeve dhe përdhunimeve, por gjithashtu pretendime se El Chapo kishte spiunuar atë dhe dashnore të tjera.

Ajo u vu në qendër të vëmendjes së mediave gjatë atij gjykimi.

Në një rast, ajo paraqitet duke qeshur gjatë dëshmisë së përlotur të një prej zonjave të Guzmanit. Në një ditë tjetër, ajo dhe Guzman kishin veshur xhaketa të ngjashme prej kadifeje.

Ajo mbeti mbështetëse e burrit të saj gjatë gjithë kohës, duke thënë në fund të gjyqit: “Unë nuk e njoh burrin tim si personin që ata po përpiqen ta tregojnë, por përkundrazi e admiroj atë si qenien njerëzore që unë takova dhe me të cilën jam martuar”.

Guzman erdhi nga një familje e varfër në shtetin Sinaloa, në Meksikën veriperëndimore. Biznesi i tij i krimit të organizuar u rrit aq shumë saqë ai hyri në listën e më të pasurve të revistës “Forbes” në vitin 2009, me një vlerë pasurie prej 1 miliard dollarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore