Shqipëria

Greqia synon 500 mijë turistë rusë gjatë këtij viti


Greqia, për sa i përket turistëve rusë, aspiron që këtë vit të arrijë numrat turistikë të vitit 2019.

Objektivi për këtë vit është 500 mijë turistë rusë, ndërsa në vitin 2019, para shpërthimit të pandemisë, Greqia priti rreth 600 mijë rusë.

Për të arritur qëllimin, Ministri i Turizmit në Greqi, Harry Theocharis, tha dje në Moskë se Greqia do të pranojë turistë rusë të cilët janë vaksinuar me vaksinën Sputnik.

Ata që janë të vaksinuar ose kanë një test negativ COVID-19, gjithashtu do të jenë në gjendje të hyjnë në vend pa bërë karantinë.

Sidoqoftë, vlerësimet e bëra nga tregu grek llogaritën rreth 300 mijë turistë rusë për këtë vit.

Numri i parashikuar mund të rritet nëse Moska vazhdon të mbajë në fuqi ndalimin e fluturimeve me Turqinë.

Kjo lëvizje mund t’i kushtojë Turqisë rreth 500 mijë turistë rusë.

Theocharis, gjatë vizitës në Moskë, vuri në dukje se “Rusia është një nga vendet, qytetarët e të cilës,  do të jenë në gjendje të na vizitojnë pa kufizime”.

“Ata duhet të jenë të vaksinuar, duhet ta kenë kaluar Covid-19, ose të kenë një test negativ para mbërritjes së tyre në vendin tonë”, tha ai.

“Këto janë masa të sigurisë që do të zbatohen nga stafi i trajnuar, i cili gjithashtu ka përvojën e vitit të kaluar. Deri më 14 maj, kufizimet do të hiqen,” vazhdoi Theocharis.

“Ne gjithashtu do të pranojmë në Greqi edhe ata udhëtarë që janë të vaksinuar me vaksinën Ruse Sputnik V,” përfundoi ai.

Në fillim të dekadës së fundit, Greqia përjetoi një shpërthim të turizmit nga qytetarët rusë.

Në 2013 dhe 2014, turistët tejkaluan numrin e mbi 1 milion në vit.

Rusët konsiderohen si shpenzues të mëdhenj pasi shpenzojnë mesatarisht më shumë se 1 mijë euro për udhëtim, ndërsa mesatarja greke nuk i kalon 600 euro për person.

Trendi në rritje u ndërpre nga tensioni i krijuar në mes të dekadës së fundit midis Bashkimit Evropian dhe Rusisë.

Si rezultat, turistët nga Rusia u përgjysmuan në vitet në vijim.

Sipas të dhënave të Shërbimit Kufitar të Federatës Ruse, në vitin 2019, Greqia mirëpriti 611 mijë rusë, duke regjistruar një rënie prej 9% krahasuar me vitin 2018.

Greqia zë vendin e nëntë të destinacioneve kryesore të turistëve rusë.

Tregu më i madh për turistët rusë është Turqia, e cila në vitin 2019, përpara shpërthimit të pandemisë që goditi industrinë e turizmit, mirëpriti një total prej 5.5 milionë turistësh.i

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore