Lajme

Greqia përballet me ‘zjarrin më të madh ndonjëherë në BE’


Greqia po përballet me “zjarrin më të madh të regjistruar ndonjëherë në BE”, deklaroi një zëdhënës i Komisionit Evropian të martën e 29 gushtit.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

Zyrtari evropian theksoi se 27 vendet aktualisht po mobilizonin pothuajse gjysmën e burimeve të përbashkëta ajrore evropiane.

Njëmbëdhjetë avionë dhe një helikopter nga flota evropiane janë dërguar për të ndihmuar Greqinë të luftojë flakët në Parkun Kombëtar Dadia, në verilindje të vendit, me 407 zjarrfikës, tha zëdhënësi Balazs Ujvari.

Zjarrfikësit grekë po luftojnë për të njëmbëdhjetën ditë radhazi kundër zjarrit që po shkatërron pyllin në këtë park të rrjetit evropian “Natura 2000”, i njohur si shtëpia e shumë shpendëve grabitqarë.

Zjarri, i cili shtrihet në një front prej gati 10 kilometrash, është “ende jashtë kontrollit”, tha një nga zëdhënësit e tyre për AFP-në.

Greqia është shkatërruar nga zjarre të shumta këtë verë, për të cilat qeveria fajëson ndryshimet klimatike.

BE-ja ka një flotë prej 24 avionësh dhe katër helikopterësh të ofruar nga shtetet anëtare për të luftuar zjarret në BE dhe vendet fqinje.

Po punohet për krijimin e një krahu ajror autonom, financuar nga BE-ja dhe i përbërë nga 12 avionë, i cili do të jetë plotësisht funksional deri në vitin 2030.

“Zjarret janë gjithnjë e më të rënda”, nënvizoi Ujvari.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore