Kosova

“Greqia e interesuar për situatën në Kosovë” – Dendias zhvillon bisedë telefonike me Kurtin  


Nikos Dendias dhe Albin Kurti

Ndonëse Greqia është njëra nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian e cila refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës, e njëjta është e interesuar për mbarëvajtjen e dialogut Kosovë-Serbi dhe dominimin e një atmosfere paqësore në Ballkanin Perëndimor, në veçanti në Kosovë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, i cili zhvillon vizita të kohëpaskohshme në Kosovë, së fundmi ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Bisedën në fjalë e ka njoftuar vetë Dendias, përmes një cicërime në rrjetin e tij social në Twitter.

“Kam folur sot në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Diskutimi u fokusua në zhvillimet e fundit në Veri të Kosovës dhe në dialogun Prishtinë-Beograd”, ka shkruar shkurtë ai pa dhënë detaje më të hollësishme.

Për shkak të situatës së tensionuar në Veri të Kosovës, gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar, mediat greke kishin njoftuar se Dendias, komunikoi me shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, si dhe me zyrtarë të detashmentit grek të KFOR-it.

Mediat greke kishin raportuar se kreu i diplomacisë greke – në kuadër të iniciativave që ndërmerr për uljen e tensionit, nëpërmjet vizitave të shpeshta në rajonin e Ballkanit Perëndimor – është në kontakt të rregullt edhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Burimet diplomatikë të mediave greke kishin theksuar se Greqia i kushton rëndësi parësore konsolidimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe mbështet vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë në favor të një zgjidhjeje të dakorduar reciprokisht të çështjeve të pazgjidhura, përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme.

Edhe nëse përfshihet Amerika më shumë në dialog, Serbisë aq i bën – Vuçiç po sfidon BE-në dhe SHBA-në edhe për Ukrainën: Intervistë me profesorin amerikan Edward P. Joseph

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore