Lajme

Greqia çon Turqinë në OKB, pretendon se i cenohet sovraniteti


Athina zyrtare nuk ka më durim sa i përket fërkimeve të fundit me Turqinë dhe hapi i radhës diplomatik i ndërmarrë, është ai i një letre zyrtare të dërguar karshi Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, mbi pretendimin se Ankaraja “po i cenon sovranitetin territorial”.

Çështja në fjalë ka të bëjë me pjesën lindore të ishujve në Detin Egje. Pala greke, veprimeve të fundit turke i referohet si “armiqësore” dhe “revizioniste”.

“Greqia i bën thirrje solemnisht Turqisë që të ndalojë vënien në dyshim të sovranitetit të Greqisë mbi ishujt e saj në Egje, veçanërisht nëpërmjet pohimeve të pabaza dhe historikisht të rreme (dhe) të përmbahet nga kërcënimi i Greqisë me luftë”.

Kështu shkruhet në letrën e firmosur nga përfaqësuesja e përhershme e Athinës në OKB, Maria Theofili.

Një rikthim i tensioneve mes dy vendeve në fakt, ka qenë shqetësim i madh për gjithë rajonin.

Përshkallëzimi i situatës rifilloi në fund të vitit 2020, kur palët nisën kërkime për naftë në zonën e Mesdheut Lindor.

Ky konfliktim ekonomik, mbart edhe një bazë të hershme konfliktimi (edhe) social, mbi një pjese të ishujve grekë e mbi të gjitha mbi ndarjen e Qipros, popullsia ishullore e të cilës është gjysmë greke dhe gjysmë turke.

Nga pala turke ndërkohë, është kërkuar më parë që Greqia të çmilitarizojë ishujt e saj lindorë. Këta të fundit, kanë fituar sovranitetin si ishuj grekë në bazë të disa traktateve të shekullit të XX-së.

Mirëpo, nga pala greke, argumentohet se kërkesa turke është keqinterpretim i gjithë marrëveshjeve e traktateve.

E gjithë kjo, kur të dy shtetet janë pjesë e aleancës ushtarake të NATO-s.

Ndaj, një frymë armiqësore midis tyre, mund të rezultonte edhe fatale për gjithë Ballkanin, pasi mund të nisë një konfliktim të nivelit të lartë.

Mbi të gjitha, kur nuk kanë munguar edhe fluturimet e avionëve ushtarakë (kryesisht turq), në hapësirën ajrore të vendit fqinj.

Tashmë ajo çfarë pritet është një përgjigje konkrete nga ana e OKB-së dhe mundësia për ndërmjetësimin e dialogut mes qeverive përkatëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore