Kërkesën e Kosovës, që ShBA të ketë një bazë të përhershme ushtarake dhe jo vetëm në Kosovë, e ka komentuar edhe Ish-emisari special amerikan për dialogun, Richard Grenell.
Të dielën u diskutua edhe për kërkesën që Kosova sa më shpejtë të bëhet anëtare e NATO-s. Grenell shkruan se është pikërisht qeveria aktuale ajo e cila ka refuzuar ndihmën amerikane për gypat e gazit.
”Qeveria aktuale sapo hodhi poshtë ndihmën e SHBA-së për t’u sjellë atyre një tubacion gazi”, ka shkruar Grenell në llogarinë e tij nw Twitter.
Kjo ka ardhur pas një cicërime të rishpërndarë në Twitter ku bëhet i ditur lajmi për kërkesën për bazën ushtarake.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka deklaruar se është nevojë e menjëhershme e Kosovës që sa më parë që të jetë e mundshme të anëtarësohet në Aleancën Veri-Atlantike.
Duke iu referuar realitetit të krijuar pas agresionit rus në Ukrainë, Mehaj u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendeve aleate dhe partnere, që të përshpejtojnë procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në NATO.
“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, kemi dëshmuar dhe konfirmojmë qëndrimin dhe vendosmërinë e fuqishme që jemi luftëtarë të denjë në mbrojtje të vlerave euroatlantike të lirisë, paqes dhe demokracisë, vlera mbi të cilat qëndron NATO dhe misioni i saj”, shkroi Mehaj në Facebook.
Mehaj u bëri thirrje të gjitha shteteve anëtare të NATO-s të cilët deri më tani kanë hezituar të njohin dhe pranojnë Kosovën që të mos ngurrojnë më.
“Kjo është koha që të gjitha kombet e përgjegjshme të mos përjashtojnë askënd në vizionin e përbashkët dhe para së keqes së përbashkët”.
“Gjithashtu, është koha të ripërsëris edhe tani, kërkesën time adresuar aleatëve tanë të pazëvendësueshëm, SHBA-së, për vendosjen e Bazës së Përhershme Ushtarake të Forcave Amerikane, si garancë e plotë e paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë”, vazhdoi ministri kosovar i mbrojtjes.
Mehaj tha se Kosova është në dijeni të plotë të sfidave që e presin para, për kërcënimet dhe rreziqet potenciale.
“Andaj të veprojmë sot që të parandalojmë kundër të keqes së paparashikueshme për rajonin , kontinentin dhe globin edhe nga kjo anë”, ka përfunduar ai.