Lajme

Grenell për Kurtin: Po krijon destabilitet


Richard Grenell dhe Albin Kurti

Ish i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, në një intervistë për mediumin serb politika.rs ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po krijon destabilitet.

“Komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar në dënimin e lëvizjeve të njëanshme të Albin Kurtit, sepse ai krijon destabilitet. Lidhur me veprimet destabilizuese të zotit Kurti, edhe administrata Biden ishte mjaft e qartë”, tha Grenell.

Kur ka folur për raportet mes Shteteve të Bashkuar të Amerikës dhe Serbisë, ka thënë se ato duhet të forcohen çdo vit.

“Unë e dua Serbinë dhe popullin serb dhe besoj se kam treguar përkushtimin tim për paqen dhe prosperitetin në të gjithë rajonin e Ballkanit”, potencoi ai.

“Unë kam qenë krenar për progresin që kemi bërë dhe mbetem me shpresë se liderët do t’i zbatojnë ato marrëveshje shumë të mira të bëra shumë vite më parë”.

Ndryshe, vendet perëndimore, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti se nuk është koordinuar me ta për çështjen e dinarit. Madje kanë thënë se ky vendim ka cenuar raportet në mes të dy shteteve respektive.

Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës në Kosovë javën e kaluar, tha se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës mbi operacionet me para të gatshme, përveçse u shkaktoi vështirësi komunitetit serb, vështirësoi edhe marrëdhëniet midis administratës amerikane dhe Qeverisë së Kosovës.

Së këndejmi, top-diplomati amerikan shtoi se shpreson që Kosova të tregohet “fleksibile” në takimin e radhës.

“Duhet të pranoj se marrëdhinet tona janë në vështirësi për momentin dhe këto vështirësi janë për shkak të trajtimit të minoritetit serb. Është për të ardhur keq që ne duhet ta kalojmë këtë”, deklaroi Escobar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore