Kosova

Grenell për aksionin në Veri: Është shkelur marrëveshja e Brukselit


Ish i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell

Ish i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, aksionin e Policisë së Kosovës në Veri të Mitrovicës kundër kontrabandimit të mallrave e ka quajtur si shkelje e marrëveshjes së Brukselit.

Ai përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë se po bëhen manipulime politike nga disa persona në Kosovë para zgjedhjeve lokale të cilat pritet të mbahen të dielën e 17 tetorit.

“Marrëveshja e Brukselit është e qartë dhe duhet të ndjehet. Kjo është shkelje e saj. Manipulimet politike të disave në Prishtinë para zgjedhjeve lokale të së dielës në Kosovë duhet të ndalen. Është e rrezikshme dhe e pamatur”, ka shkruar Grenell.

Sipas tij, presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, “nuk duhet të qëndrojë i heshtur në këtë situatë”.

https://twitter.com/RichardGrenell/status/1448286208405098504?s=20

Ndërkaq, zëdhënësi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Eric Brassil, për Albanian Post, ka thënë se “e gjithë dhuna, qoftë drejtuar autoriteteve, mediave apo civilëve, është e papranueshme dhe duhet të hetohet dhe ndiqet penalisht në masën e plotë të ligjit”.

Zyrtari amerikan ka bërë të ditur se ambasada amerikane është shqetësuar nga përgjigjet e serbeve lokal për mos respektim të zbatimit të Ligjit në territorin e shtetit të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga përgjigjet ndaj veprimeve të sotme të zbatimit të ligjit të Kosovës në territorin e Kosovës. E gjithë dhuna, qoftë drejtuar autoriteteve, mediave apo civilëve, është e papranueshme dhe duhet të hetohet dhe ndiqet penalisht në masën e plotë të ligjit. Ne bëjmë thirrje për qetësi”, ka thënë Brassil për AP.

Ilustrim

Në mëngjesin e së mërkurës në Veri të Mitrovicës, rreth orës 09:00 janë dëgjuar krisma në ajër, i është vënë flaka një veture, janë parë numër i madh policësh në rrugë e qytetarë më pas të grumbulluar duke sulmuar policinë.

Më pas është kuptuar se Policia e Kosovës ka filluar një aksion në gjithë Kosovën, përfshirë edhe komunat serbe në Veri, kundër kontrabandës me mallra.

Aksioni i Policisë së Kosovës ka hasur në rezistencë të serbëve lokal.

Ata kanë sulmuar edhe Njësinë Speciale pasi që këta të fundit dalin nga një barnatore në të cilën kishin hyrë për të konfiskuar mallrat e kontrabanduar.

Bazuar në njoftimin e PK-së, pas përfundimit të aksionit për kontrabandë janë arrestuar 8 persona dhe 6 të tjerë kanë pasur lëndime trupore, në mesin e tyre civil dhe zyrtarë policorë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore