Grenell: Festa e pavarësisë është zbehur nga qëndrimi i padrejtë i Thaçit në burg
Foto: Albanian Post
Jon Haxhiu
17.02.2025 11:54I dërguari special për misionet speciale të Shteteve të Bashkuara , Richard Grenell, ka shprehur urimet për një festë të sigurt dhe të gëzuar për të gjithë miqtë e tij në Kosovë, në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Megjithatë, ai theksoi se ky festa e 17-vjetorit të pavarësisë është zbehur nga padrejtësia ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që gjendet në Hagë.
“Përvjetori i Pavarësisë është hijezuar nga një padrejtësi e rëndë. Babai i themelimit të shtetësisë së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, do të duhej të festonte sot në Prishtinë – jo pas grilave në Hagë”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘X’.
Ai gjithashtu kritikoi dështimin e Evropës për të vepruar kundër kësaj padrejtësie gjatë pesë viteve të fundit.
“Evropianët kanë dështuar të veprojnë kundër kësaj padrejtësie për pesë vitet e fundit. Dhe institucionet e Kosovës kanë dështuar të marrin veprimet e nevojshme ligjore për ta përfunduar këtë padrejtësi për shkak të politikës”, shtoi ai.
Grenell përfundoi me një thirrje për ndalimin e burgosjes së padrejtë të Thaçit: “Kjo burgosje e padrejtë duhet të përfundojë”.
Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.
Sipas listës së publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashmte dhe Diasporës, mbi 100 vende të botës e kanë njohur atë.
Për 17 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë ato financiare dhe sportive.
Në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.
Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë e të tjera.