Aplikacione

Google Maps ndihmon policinë italiane të kapë të arratisurin pas 20 vjetësh


Në Itali, policia ka arrestuar një të arratisur të mafias, i cili kishte qenë në arrati për gati 20 vjet, falë ndihmës së aplikacionit Google Maps.

Kështu ka bërë me dije një nga hetuesit për agjencinë e lajmeve, “Reuters”.

Pas një hetimi dyvjeçar, 61-vjeçari Gioacchino Gammino, u gjurmua në Galapagar të Spanjës, ku jetonte me një emër të rremë.

Në aplikacionin Google Maps, një fotografi e pamjes së rrugëve që paraqet një burrë të ngjashëm me të përpara një dyqani frutash ishte vendimtare për nxitjen e një hetimi më të thellë.

“Fotogrami na ndihmoi të konfirmonim hetimin që po zhvillonim në mënyra tradicionale”, ka treguar Nicola Altiero, zëvendësdrejtor i njësisë italiane të policisë antimafia (DIA).

Si një anëtar i një grupi mafioz sicilian të quajtur Stidda, Gammino ishte arratisur nga burgu Rebibbia i Romës në vitin 2002 dhe në vitin 2003 ishte dënuar me burgim të përjetshëm për një vrasje të kryer disa vite më parë.

Sipas Altiero, ai aktualisht gjendet në paraburgim në Spanjë dhe ata shpresojnë ta kthejnë atë në Itali deri në fund të muajit shkurt.

Gammino rezultonte një vrasës i dënuar, i listuar në mesin e gangsterëve më të kërkuar të Italisë.

Në qytetin afër Madridit, ku gjatë këtyre viteve jetoi me identitetin e ndryshuar në Manuel, ai punonte si kuzhinier dhe kishte një dyqan frutash dhe perimesh.

Njëkohësisht edhe ishte martuar.

Pas 20 vjetësh i fshehur, Gammino ishte tanimë i bindur se kishte arritur të shkëpuste të gjitha lidhjet e tij me Siçilinë.

Madje, pas arrestimit, mësohet të ketë pyetur policinë: ”Si më gjetët? Unë nuk kam telefonuar as familjen time për 10 vjet!”.

Ai i përkiste një klani mafioz në Agrigento, i cili pati një përleshje të përgjakshme me Cosa Nostra-n, rrjetin kryesor mafioz të Siçilisë, në vitet 1990.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore