Aplikacione

Google Maps-i po vë në lëvizje përdoruesit


Aplikacioni i hartave, Google Maps, po realizon disa azhurnime, të cilat janë frymëzuar nga mënyra e funksionimit të mediave sociale dhe përpiqen të inkurajojnë përdoruesit të gjenerojnë më shumë përmbajtje në aplikacion.

Agjencia e lajmeve, CNN, tregon se veçoritë e reja të prezantuara këtë javë nga kompania, synojnë ta kthejnë Google Maps-in në një aplikacion më interaktiv. Kjo nëpërmjet përfshirjes së tyre edhe duke lehtësuar ndarjen e fotove dhe videove nga vendet të cilat ata vizitojnë.

Azhurnimet e fundit janë pjesë e një serie risish të sjella nga Google-i në aplikacion me idenë për ta shndërruar atë jo vetëm si një mënyrë për të gjetur vendet që përdoruesit dëshirojnë të vizitojnë, por në një vend ku ata mund të planifikojnë udhëtimet. Gjithashtu një vend ku mund të komunikojnë me bizneset lokale, të mësojnë se si mund të shkojnë te ta, të kryejnë pagesat e parkimit apo të ndajnë përvojat e tyre.

Sipas CNN, taktikat e ndërmarra në aplikacion për të angazhuar përdoruesit kanë rezultuar efektive edhe prej nismës së fundit për të paraqitur në aplikacion informacione dhe të dhëna lidhur me prezencën e coronavirus-it në një vend të caktuar.

Në vazhdë të kësaj, kompania ka deklaruar se ka arritur 150 milionë “Udhëzues Lokalë”, të cilët janë përdorues që kontribuojnë rregullisht në rishikime, foto dhe informacione në platformë. Ata shtuar rreth 8 milionë vende në aplikacion në vitin 2020.

“Me gjithë ndryshimet që kaloi bota jonë vitin e kaluar, njerëzit po mbështeten më shumë se kurrë në informacione me cilësi të lartë të azhurnuara në lidhje me vendet përreth tyre, qoftë nëse një restorant afër është i mbyllur ose një dyqan ushqimor ka ndryshuar orarin”, ka thënë Google-i në një deklaratë. Kompania ka shtuar se kjo taktikë mundëson rritjen e njohurive lokale të përdoruesve.

Pjesë e risive është edhe azhurnimi i fotove, i cili do të ndihmojë njerëzit të kenë një kuptim më të gjerë të vendeve që do të vizitojnë. Ndërsa në javët në vazhdim, përdoruesit do të munden të shkojnë në skedën “Përditësime” ku mund të bëjnë një foto të shpejtë dhe t’i mbivendosin një titull pa qenë nevoja të shkruajnë artikull.

Me rëndësi është edhe raportimi i ndryshimeve të rrugës duke e bërë më të lehtë raportimin në aplikacion nëpërmjet tiparit të ri “Redakto Hartën”. Ajo lejon përdoruesit të korrigjojnë gabimet duke përfshirë riemërtimin e rrugëve apo fshirjen e rrugëve të pasakta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore