Aplikacione

Google-i shtyn planin për ndalimin e ‘cookies’


Kompania teknologjike, Google, ka vonuar planin për të bllokuar cookies të palëve të treta nga shfletuesi i saj i internetit, Chrome.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se cookies ndjekin aktivitetin e përdoruesve në internet dhe lejojnë botuesit digjital që të shënjestrojnë reklamat.

Tanimë, janë bllokuar nga një numër rivalësh të Google-it, përfshirë Apple-in, Microsoft-in dhe Mozilla-n.

Mirëpo, kritikët janë të mendimit se ndalimi i Google-it detyron shitësit e reklamave të drejtohen drejt kompanisë teknologjike për këtë informacion, duke i dhënë një avantazh të padrejtë.

Lëvizja lidhet me një plan për të zëvendësuar sistemin me një tjetër të vetë dizajnit të Google-it, për të cilin kompania pretendon se është më i mirë për privatësinë.

Propozimet e Google-it tanimë janë nën hetim nga Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregjeve në Mbretërinë e Bashkuar (CMA).

Edhe pse ndalimi ishte planifikuar për në vitin 2022, ai është vendosur përsëri deri në vitin 2023.

Vinay Goel, drejtori i inxhinierisë së privatësisë për shfletuesin Chrome të Google-it, ka shkruar në blog se “është bërë e qartë se koha është e nevojshme në të gjithë ekosistemin” në mënyrë që të “merrni këtë të drejtë”.

Sipas GlobalStats, Chrome-i zë një pjesë të tregut në të gjithë botën prej 65 për qind.

Themelues i agjencisë së marketingut digjital AccuraCast, Farhad Divecha, është shprehur për BBC se vonesa ishte një lajm i mirë për industrinë e tij.

“Ne e mirëpresim këtë vonesë dhe shpresojmë vetëm që Google-i ta përdorë këtë kohë për t’u konsultuar me CMA-në, si dhe palë të ndryshme që do të preken nga ndryshimet, duke përfshirë reklamuesit, agjencitë, botuesit dhe ofruesit e reklamave digjitale dhe ndjekjes”, ka thënë ai.

Për sa i përket propozimeve të reja të privatësisë së Google-it, ato njihen si “Privacy Sandbox”.

Pjesë e tyre është edhe prezantimi i “The Federated Learning of Cohorts” ose ndryshe “Floc”.

Ka të bëjë me një shfletues të aktivizuar në Floc, i cili do të mbledhë informacione në lidhje me zakonet e shfletimit dhe të caktojë përdoruesit në një grup me histori të ngjashme shfletimi. Secili prej tyre do të ketë një ID që do të tregojë interesat e tyre për reklamuesit.

Por kritikat kanë qenë të shumta edhe në këtë rast.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore