Pajisje

Google-i pretendon një përparim në korrigjimin e gabimeve të kompjuterit kuantik


Kompania Google ka pretenduar një përparim në korrigjimin e gabimeve që janë të natyrshme në kompjuterët kuantikë të sotëm.

Çka ka shënuar një hap të hershëm, por potencialisht të rëndësishëm në tejkalimin e pengesës më të madhe teknike ndaj një forme të re revolucionare të informatikës.

Gjetjet e Google-it, të cilat janë botuar në revistën “Nature”, shënojnë një “një moment historik në udhëtimin tonë për të ndërtuar një kompjuter kuantik të dobishëm”, ka thënë Hartmut Neven, kreu i përpjekjeve kuantike të kompanisë.

Ai e ka cilësuar korrigjimin e gabimit “një rit të nevojshëm kalimi nëpër të cilin duhet të kalojë çdo teknologji kompjuterike kuantike”.

Informacioni i koduar në një sistem kuantik humbet përpara se makina të përfundojë llogaritjet e saj. Dhe gjetja e një mënyre për të korrigjuar gabimet që shkakton kjo është sfida më e vështirë teknike me të cilën përballet industria.

Sakaq, startup-et kuantike i kanë varur shpresat e tyre në afatin e afërt në gjetjen e mënyrave për të programuar makineritë e sotme të prirura ndaj gabimeve edhe nëse kjo çon vetëm në një përmirësim të vogël në krahasim me kompjuterët tradicionalë.

Megjithatë, këto përpjekje ende nuk kanë dhënë rezultate praktike, duke çuar në një pikëpamje në rritje se llogaritja kuantike nuk do të jetë e dobishme derisa të zgjidhet problemi shumë më i madh i korrigjimit të gabimit.

Studiuesit e Google-it kanë thënë se kanë gjetur një mënyrë për të shpërndarë informacionin në një mënyrë që nënkupton se sistemi në tërësi mund të ruajë mjaftueshëm për të përfunduar një llogaritje.

Ndërkaq, hulumtimi ka vënë në dukje një reduktim prej vetëm 4 për qind të shkallës së gabimit pasi Google-i rriti teknikën e tij për të ekzekutuar në një sistem më të madh kuantik.

Megjithatë, studiuesit kanë dalluar se kjo ishte hera e parë që rritja e madhësisë së kompjuterit nuk kishte çuar në një rritje të shkallës së gabimit.

Përparimi në korrigjimin e gabimeve ishte rezultat i përmirësimeve që Google-i kishte bërë në të gjithë komponentët e kompjuterit të tij kuantik, përfshirë pajisjet e përdorura për të ftohur kompjuterin në zero.

Julian Kelly, një studiues i Google-it, ka shpjeguar se kjo ka reduktuar numrin e gabimeve në një pikë mjaft të ulët saqë madhësia e sistemit mund të rritet pa çuar në një rritje eksponenciale të shkallës së gabimit.

Google-i, nga ana tjetër, e ka përshkruar zbulimin si hapin e dytë nga gjashtë hapat që duhej të kalonte për të ndërtuar një kompjuter praktik kuantik.

Hapi tjetër përfshin përsosjen e inxhinierisë së tij në mënyrë që t’i duhen vetëm 1 mijë kubit për të krijuar një të ashtuquajtur abstraksion, i ndërtuar mbi kubitët fizikë të papërsosur, që mund të funksionojë pa gabime.

Mirëpo, pretendimet kërkimore të Google-it rreth llogaritjes kuantike kanë rezultuar të diskutueshme në të kaluarën.

Në vitin 2019, kompania pretendoi në një artikull në “Nature” se kishte arritur të ashtuquajturën epërsi kuantike – pika në të cilën një kompjuter kuantik mund të përfundojë një llogaritje që është për të gjitha qëllimet e pamundura për një makinë tradicionale.

Megjithatë, ky pohim u sfidua.

Këtë javë, studiuesit e Google-it kanë zbuluar po në “Nature” se po mbajnë një qëndrim “të kujdesshëm” për zbulimin e tyre të fundit të pretenduar.

Po ashtu kanë theksuar se ekziston ende një shans i vogël që teknika e korrigjimit të gabimeve të mos funksionojë kur të zbatohet në sisteme kuantike shumë më të mëdha në të ardhmen.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore