Pajisje

Google-i, 730 milionë paund për të ‘rigjallëruar’ zyrat në Mbretërinë e Bashkuar


Kompania Google po mbështet rikthimin në zyra me një investim që do të zgjerojë kapacitetin në Mbretërinë e Bashkuar me 50 për qind dhe do të “rigjallërojë” mjedisin e punës.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se kompania po shpenzon 730 milionë paund dhe pret që numri i punonjësve të rritet nga 6 mijë e 400 në 10 mijë të tillë.

Ndërkaq, Google-i po blen një nga vendet në Londër, Central Saint Giles, në të cilin aktualisht është qiramarrës.

Ronan Harris, shefi i kompanisë teknologjike në Mbretërinë e Bashkuar, ka zbuluar se investimi pasqyron besimin e firmës te zyra si një vend pune.

“Duam të rigjallërojmë mjedisin e punës. Po e bëjmë këtë angazhim për të rindërtuar. Po i blejmë këto ndërtesa dhe jemi të etur që të shohim të gjithë të kthehen dhe të shohin përsëri një hapësirë ​​pune të gjallë”, ka thënë Harris.

Përveç blerjes së Central Saint Giles, Google-i do të ndërmarrë një rinovim shumë milionë paundësh të zyrave të atjeshme për të siguruar që të jenë në nivel të lartë.

Kjo do të sigurojë më shumë hapësirë ​​në mënyrë që zyrat të mund të jenë më pak të populluara dhe do të përfshijë hapësira bashkëpunimi dhe “dhoma gjithëpërfshirëse të takimeve për punë hibride”.

Me sa duket, Google-i dëshiron që pjesa dërrmuese e fuqisë punëtore të kthehet në zyrë.

“Mendoj se dy vitet e ardhshëm do të jenë një eksperiment ku do të përpiqemi të kuptojmë se çfarë do të thotë në të vërtetë hibrid dhe fleksibël”, ka shtuar Harris.

Sipas tij, kjo “do të ndryshojë nga kompania në kompani dhe nga roli në rol. Mendoj se do të ketë shumë prova dhe gabime gjatë dy viteve të ardhshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore