Shqipëria

Gonzato takon Hoxhën: Zbatimi i ligjit është kyç për anëtarësimin në BE


Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka zhvilluar një takim me ministrin e Brendshëm shqiptar, Ervin Hoxha, ku ka theksuar se zbatimi i ligjit dhe shtrirja e tij sa më e gjerë është thelbësore për anëtarësimin e vendit në Union.

Përmes një publikimi në X, ish-Twitter, Gonzato ka bërë me dije se është folur po ashtu për partneritetin e ngushtë dhe thelbësor në çështje si roli i Policisë, ripërdorimi i aseteve të konfiskuara, apo migracioni dhe linjëzimi i regjimit të vizave.

 

“BE-ja mbetet e përkushtuar për të vijuar mbështetjen ndaj Shqipërisë me forcimin e agjencive ligjzbatuese”, ka përmendur Gonzato ndër të tjera.

Një ditë më parë, Hoxha ka pasur edhe një takim me të ngarkuarën e SHBA-ve me punë në Tiranë, Nancy VanHorn.

Më 26 gusht, ajo zhvilloi një takim me ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha, ku theksoi rëndësinë dhe prioritetin që ka shtrirja e ligjit dhe ngritja e kapaciteteve policore në Shqipëri, si një vend kandidat për në Bashkimin Evropian.

VanHorn takon ministrin Malaj, fokusi te përmirësimi i klimës së biznesit dhe thithja e investimeve të huaja

“VanHorn ripohoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të rritur bashkëpunimin për sigurinë rajonale dhe sigurinë publike. Duke theksuar vlerën e punës së përbashkët për të trajtuar sfidat e përbashkëta, ata diskutuan iniciativat për të përmirësuar bashkëpunimin në zbatimin e ligjit dhe ndërtimin e kapaciteteve. Ne mezi presim avancimin e këtyre prioriteteve për një të ardhme më të sigurt dhe më të ndritshme për të dy kombet tona”, shkruhet në një publikim nga Ambasada Amerikane, pas takimit me Hoxhën.

Vetë Hoxha ndërkaq bëri me dije më parë se bisedoi me VanHorn rreth marrëdhënieve dypalëshe, duke vënë në dukje miqësinë e fortë mes dy vendeve, bashkëpunimin dhe partneritetin e fortë strategjik.

Ministri Hoxha falënderoi përfaqësuesen e Ambasadës së SHBA-ve për mbështetjen e pakursyer ndaj agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë, veçanërisht programin ICITAP, me fokus asistencën për Policinë e Shtetit.

Në lidhje me takimin, Ministri u shpreh se “ishte kënaqësi takimi sot me të Ngarkuarën me Punë të SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, me të cilën konfirmuam jo vetëm miqësinë mes dy vendeve, por ritheksuam partneritetin e fortë strategjik”.

Duke falënderuar përfaqësuesen e SHBA-ve për mbështetjen ndaj Policisë së Shtetit, ministri Hoxha theksoi se “e njohu VanHorn me disa prej prioriteteve në detyrën si Ministër i Brendshëm, duke e falënderuar gjithashtu për kontributin e çmuar që ofron programi ICITAP për Policinë e Shtetit dhe agjencitë ligjzbatuese shqiptare, në funksion të rritjes së parametrave të sigurisë”.

Në takim është diskutuar edhe për tema të tjera me interes për qytetarët e të dy vendeve.

“Folëm në këtë takim të parë, mbi mundësitë e reja të thellimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit për mirëqenien e qytetarëve tanë”, tha Hoxha pas takimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore