Gonzato takohet me Ramën, flet për aspiratat e Shqipërisë në BE

Vitjon Nina
11.12.2023 16:32
Loading Icons...

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka zhvilluar takimin e tij të parë zyrtar me kryeministrin e vendit, Edi Rama, duke e vendosur bisedën e parë mes tyre në rrafshin e aspiratave të integrimit shqiptar në Union.

Përmes një publikimi në median sociale X, njohur më parë si Twitter, Gonzato shkruan se ka folur me kryeministrin për procesin e integrimit dhe se si ekipi i tij mund të ndihmojë në këtë rrugëtim.

“Ne folëm për hapat e ardhshëm të Shqipërisë në procesin e saj të integrimit në BE dhe se si unë dhe ekipi im mund ta shoqërojmë vendin në këtë rrugëtim sfidues, por premtues”, përmend ai.

Më 7 dhjetor, Gonzato ka marrë zyrtarisht kredencialet nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, duke nisur kështu edhe mandatin e tij trevjeçar si ambasador i Unionit në vend.

Fillimisht, Gonzato nuk e ka fshehur gëzimin për të nisur punën, ku shkruan në median sociale X, njohur më parë si Twitter, se ka tashmë një mundësi reale për Tiranën, që të kërkojë integrimin e plotë në BE.

Kjo, duke konsoliduar progresin e arritur deri tani dhe duke shtyrë reformat e nevojshme, për ta bërë vendin më të begatë, më modern dhe më gjithëpërfshirës.

Gonzato po ashtu pret edhe takimet me zyrtarët e lartë shtetërorë shqiptarë.

Teksa, një mbledhje të parë, e ka pasur me ekipin e BE-së, i cili operon në Shqipëri, ku shkruan se ekspertiza dhe profesionalizmi i tyre kanë qenë faktor kyç në rrugëtimin shqiptar drejt integrimit.

Në këtë post ai pason Luigi Sorecan, i cili do të marrë detyrën e rëndësishme në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm.

Kush është Silvio Gonzato?

Para emërimit si ambasador, ai ka qenë Ambasador, Zëvendës Shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Kombet e Bashkuara në New York.

Më pare, Gonzato ka qenë Drejtor për Marrëdhëniet Ndërinstitucionale, Koordinimin e Politikave dhe Diplomacinë Publike në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS).

Përgjegjësitë e tij mbulonin marrëdhëniet me të gjitha institucionet e BE-së dhe përfaqësimin e EEAS-së në negociata që kanë implikime institucionale apo ligjore, përfshirë sanksionet.

Ai ka qenë përgjegjës për koordinimin e të gjitha dosjeve politike dhe legjislative, si dhe për përgatitjen e mbledhjeve të Këshillit të Punëve të Jashtme.

Gjithashtu ka qenë përgjegjës për aktivitetet e diplomacisë publike dhe çështjet e komunikimit strategjik.

Ai ka mbikëqyrur strategjinë e komunikimit të EEAS-së, përfshirë aktivitetet që synojnë luftën kundër manipulimit të informacionit nga burime të huaja.

Më parë ai ka qenë Drejtor për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë në EEAS, duke qenë përgjegjës për organizimin dhe përmbajtjen e gjithë dialogjeve dhe konsultimeve në lidhje me të drejtat e njeriut ndërmjet BE-së dhe vendeve partnere, hartimin e udhëzimeve të politikave dhe udhëzimet për delegacionet dypalëshe dhe shumëpalëshe të BE-së në çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe mbështetjen e demokracisë.

Gonzato ka qenë edhe përgjegjës për aktivitetet e vëzhgimit të zgjedhjeve.

Po ashtu Shef i Sekretariatit të Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian në periudhën 2009–2014, ku ka këshilluar kryetarin për prioritetet dhe organizimin e punës së komisionit.

Të fundit

Aktuale