Shqipëria

Goli i Brazilit bën debatin për Portin e Durrësit të ‘harrohet’, Zhupa i kërkon Ballës të ulë zërin e ndeshjes


Prej thuajse 12 orësh, në Parlamentin e Shqipërisë, po zhvillohet një seancë plenare ku po diskutohet mbi Portin e ri të Durrësit.

Mirëpo, përtej debateve tepër serioze mbi projektin me vlerë 2 miliardë euro, ka pasur edhe çaste gazmore mes deputetëve.

Kështu, në kohën kur deputetja demokrate, Ina Zhupa, ka marrë fjalën, dy kolegë nga shumica parlamentare, përkatësisht kreu i Grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe deputeti socialist Toni Gogu, kanë qenë duke shijuar ndeshjen mes Brazilit dhe Serbisë.

Në atë çast, Zhupa u ka kërkuar kolegëve të ulin zërin e komentit të ndeshjes.

Por, me humor, Balla i ka thënë se ka shënuar Brazili dhe nga pamja e të dy deputetëve socialistë, është e qartë se kanë mbetur të shtangur nga goli i realizuar nga Richarlison me rroveshatë.

Ky ka qenë edhe goli i dytë i Brazilit përballë Serbisë, i cili për deputetët, ka qenë edhe më i rëndësishëm se sa fjala e kolegëve të opozitës në Parlament.

Fundja, pas 12 orësh debat dhe me një projektim për 6 orë të tjera diskutime të hapura, pak shplodhje duhet!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore