Sport

Golat dhe momentet më të mira të Mane-s në Liverpool (VIDEO)


Tifozëve të Liverpool-it nuk iu desh shumë kohë për t’u dashuruar me Sadio Mane, derisa do t’iu duhet më shumë kohë për t’u pajtuar me largimin e tij.

Senegalezi emocionoi mbështetësit e klubit anglez për gjashtë vitet e lavdishme sa ishte aty, derisa ai u largua si një legjendë.

Me 43 milionë euro, ai u konsiderua si një nga afrimet më të mëdha në epokën e Jurgen Klopp-it te Liverpool-i, kurse tani ai u largua për një sfidë të re në Bundesliga me Bayern Munich-un.

Një nga golat ndoshta më të mirë në karrierën e tij, ishte pikërisht në debutimin me fanellën e Liverpol-it, në ndeshjen që “The Reds” e fituan me rezultat 3:4 në udhëtim te Arsenal-i.

Mane mori një top në krahun e djathtë dhe me një depërtim fantastik mes mbrojtësve: Nacho Monreal dhe Calum Chambers bëri një goditje të fortë, duke e dërguar topin në cepin e portës.

Nuk shkoi shumë kohë dhe Mane la gjurmë edhe në derbin e qytetit të Liverpool-it kundër skuadrës së Everton-it.

Senegalezi i dha fitoren ekipit të tij, duke realizuar një gol të thjeshtë në minutën e katër shtesë të ndeshjes.

Sa i përket derbit të qytetit, Mane mban një rekord me katër gola të shënuar, si dhe humbi vetëm një ndeshje në 13 paraqitje kundër Everton-it.

Sezonin e parë me fanellën e kuqe, Mane e mbylli para kohe shkaku i angazhimit me kombëtare në Kupën e Kombeve të Afrikës.

Megjithatë, ai përsëri u shpall lojtari më i mirë në klubin e tij, pasi ndihmoi skuadrën që të kualifikohej në Ligën e Kampionëve.

Një ndeshje shumë të madhe, Mane e shfaqi edhe ndaj Tottenham-it në muajin shkurt të vitit 2017.

Ai shënoi dy gola brenda 138 sekondave ndaj Spurs-ave, që në atë kohë dolën nënkampionë të Premier Ligës, duke i dhënë shpresa të mëdha Liverpool-it për kualifikim në Champions, të cilin më pas e arritën.

Mane gjithashtu la gjurmë edhe në klubin e tij të ri, Bayern Munich. Në ndeshjen e fazës së 1/8-ve të Champions-it, sulmuesi senegalez shënoi një gol shumë të bukur në “Allianz Arena”, ndeshje të cilën Liverpool-i e fitoi me rezultat 1:3 dhe kështu eliminoi bavarezët.

Mane lirisht mund të themi se ishte më meritori që Liverpool-i fitoi Premier Leauge-n pas 30 vjetësh, në sezonin 2019/20.

Në një pasdite të ftohtë nëntori, skuadra e Klopp-it ishte duke humbur ndaj Aston Villa-s deri në katër minutat e fundit të sfidës, kur Sadio u shfaq në skenë.

Mane dhuroi tre pikët e ndeshjes, duke bërë fillimisht një asistim në minutën e 87-të për Andy Robertson, pastaj në minutat shtesë, ai shënoi për ta përmbysur rezultatin.

Pas kësaj ndeshje, në të ardhmen Liverpool-i u përball me Manchester City-n duke e mposhtur me rezultat 3:1, fitore që doli të jetë vendimtare në triumfin pas tre dekadash.

Edhe në këtë ndeshje, Mane la gjurmë duke e shënuar golin e tretë.

Pra, sulmuesi 30 vjeçar i mbylli gjashtë vite tejet të suksesshme në Liverpool, i cili largohet si një legjendë që do të mbahet mend nga tifozët e “The Reds”.

Mane numëron në total 269 ndeshja në të gjitha garat me fanellën e Liverpool-it, prej të cilave ka shënuar 120 gola dhe ka dhuruar 46 asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore