Shqipëria

Goditet grupi kriminal në Durrës, 15 të arrestuar


Prokuroria e Durrës ka goditur një grup kriminal në Durrës, ku 15 persona janë arrestuar, pasi dyshohet se janë të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale si vrasje dhe shitblerje armësh, përfshi edhe një vrasje të ndodhur në Tiranë, të ndodhur në zonën e njohur si Don Bosko, më 4 janar 2022.

Grupi kriminal, u godit nga strukturat e rendit pas një tjetër ngjarjeje të rëndë ditën e dielë të 2 tetorit, kur pas një sherri në autostradën Tiranë-Durrës, u rrëmbye një person.

Dy prej personave të përfshirë në ngjarje, vëllezërit Gentian dhe Indrit Beqiri, janë akuzuar për këtë ngjarje dhe janë arrestuar, si pjesë e aksionit.

Të dy personat, dyshohet se janë vrasës me pagesë dhe kanë qenë pjesë e vrasjes së ndodhur në Don Bosko, më 4 janar.

Ngjarja

Të shtënat me armë zjarri kanë tronditur Tiranën mbrëmjen e 4 janarit.

Nga burimet paraprake bëhet me dije se një qytetar ka mbetur i vdekur dhe katër të tjerë janë plagosur.

Sipas informacioneve paraprake, i vdekur ka mbetur shtetasi E. Ç., 35 vjeç, ndërsa janë plagosur shtetasit A. D., 46 vjeç, A. S., 19 vjeç, B. Ç., 28 vjeç dhe E. C., 41 vjeç.

I plagosuri B. Ç., sipas burimeve, është vëllai i viktimës E. Ç., i cili ishte i ulur në të njëjtën tavoline më të.

Policia ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një lokali, ku dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga jashtë, në drejtim të një tavoline ku ishin ulur pesë shtetas.

Sakaq, janë ngritur dhe disa pika kontrolli në këtë zonë, në të gjitha pikat hyrëse-dalëse të Tiranës dhe në brendësi të lagjeve ku dyshohet se janë larguar personat.

Autorët janë larguar me një automjet tip “Mercedes-Benz”, siç pohojnë autoritetet.

Policia ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë së lokalit, për të sqaruar gjithçka ka ndodhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore