Sport

Gliha s’tregon nëse do jetë ende trajner i Kosovës: Nuk e di, s’po e mendoj këtë


Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Primozh Gliha, nuk ka treguar nëse ndeshja ndaj Bjellorusisë në stadiumin “Fadil Fokrri” të martën do të jetë e fundit për të si trajner i Dardanëve.

“Nuk e di dhe as nuk po mendoj për këtë. Vëmendja ime është tek ndeshja e së martës dhe për pjesën tjetër nuk dua të komentoj”, tha ai në konferencë për media.

“Nuk kom presion dhe ndjehem mirë duke e drejtuar mirë ekipin, kemi luajtur pa disa lojtarë kyç ndaj Zvicrës, kemi luajtur për fitore”.

Tutje, ai ka shtuar se “Kosova nuk është një ekip i vogël” dhe se ka provuar që të gjejë zgjidhje për çfarëdo problemi.

“Sot me futbollistët e kemi shikuar ndeshjen me Zvicrën, kemi provuar që të gjejmë gabimet, që këto gabime mos ti përsërisim nesër”.

Gliha u pyet edhe një herë për rastin e futbollistit Edon Zhegrova, por nuk preferoi të përgjigjej.

“Nuk mund të them asgjë për atë. Nuk do të ndryshoja diçka. Duhet të zbatojmë rregullat. Për mua luan ai që është më i miri. Nuk kanë rëndësi emrat”.

Në fund ai foli edhe njëherë për gazetaren Qeqa Krelani, pasi ditë më parë kishte deklaruar se i kishte dëgjuar këshillat e kësaj të fundit, për ta ftuar futbollistin e Llapit, Muhamet Hyesnin, i cili shënoi gol ndaj Zvicrës.

“Kolegia juaj (Qeqa Krelani) me propozoi një lojtar (Muhamet Hyseni). Ajo kishte të drejtë. Edhe ju mund të më propozoni dikë prej lojtarëve. Unë do ta përcjell. Nëse keni ndonjë futbollist ma tregoni dhe unë do ta përcjell”, potencoi trajneri slloven.

Dardanët do të zhvillojnë të martën ndeshjen e fundit të ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian “Euro 2024”, ndaj Bjellorusisë, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Kosova ka tubuar 11 pikë pas 9 ndeshjeve të luajtura në këto kualifikime dhe zë vendin e katërt në grup, derisa Bjellorusia është e parafundit në grup me 9 pikë të mbledhura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore