Glauk Konjufca: BE e vonuar, Dita e Evropës e gjen Kosovën në një getoizim të pashembullt

SHFLETO
Mërgesa Redenica
09.05.2021 10:39
Loading Icons...

“Bashkimi Evropian është treguar i vonuar në proceset e integrimit të Kosovës brenda familjes evropiane dhe kjo ëndërr gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një zhgënjim kolektiv për qytetarët e shtetit tonë”.

Kështu është shprehur përmes një shkrimi në Facebook, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në Ditën e Evropës, duke shtuar se Dita e Evropës e gjen Kosovën jo vetëm pa statusin e kandidatit, por edhe pa liberalizim të vizave, e ndërsa qytetarët e saj në një getoizim të pashembullt.

Sipas tij, përveç se diskriminim dhe padrejtësi kufizimi i lirisë së lëvizjes është edhe shmangie nga parimet e një Evrope pa kufij.

Ai tutje ka thënë se “pa Kosovën mozaiku i familjes së bashkuar evropiane nuk mund të quhet i plotësuar, sikundër as vetë ideja mbi të cilën qëndrojnë themelet e Bashkimit Evropian”.

Po ashtu, Konjufca ka theksuar se qytetarët e Kosovës edhe pse të shpërfillur, vazhdojnë të besojnë fort në politikat integruese evropiane dhe të shpresojnë që, në një të ardhme të afërt, Evropa do t’ua hapë dyert, siç i hapi për shumë shtete e popuj.

“Kosova dhe qytetarët e saj kanë bashkëjetuar dhe vazhdojnë të bashkëjetojnë prej pas çlirimit dhe pavarësimit me ëndrrën për t’u përbashkuar me popujt e kontinentit tonë nën kulmin e Bashkimit Evropian”, shtoi ai.

Dita e Evropës, është ditë që ka hyrë në kalendarin e festave të Kosovës qysh nga shpallja e pavarësisë.

Zyrtarizmi dhe shënimi i kësaj dite, të cilën Evropa e shënon prej nëntë majit të vitit 1950 në kujtim të nismës së projektit të integrimit evropian, “ishte përqafim i vlerave demokratike dhe dëshmi e qartë e orientimit të palëkundur të Kosovës drejt familjes evropiane, së cilës i takon edhe gjeografikisht”.