Lajme

Gjyqtari i Texas-it rrëzon ndalimin për të rinjtë që të mbajnë armë


Në Texas, një gjykatë federale ka hedhur poshtë ndalimin e shtetit për personat e moshës 18 deri në 20 vjeç për të mbajtur pistoletë.

Ky mendohet të jetë vendimi i parë gjyqësor i madh që nga një vendim historik mbi të drejtat e armëve nga Gjykata e Lartë e SHBA-ve në qershor.

Sfida ndaj statutit të Texas-it që ndalon të rinjtë që nuk janë në shërbimin aktiv ushtarak të kenë pistoletë në publik u parashtrua në vitin 2021 nga Koalicioni i Politikave të Armëve të Zjarrit, një grup i të drejtave të pronarëve të armëve.

Sipas grupit, ndalimi shkel amendamentin e dytë të kushtetutës së SHBA-ve, i cili thotë se shtetet mund të organizojnë milici dhe se “e drejta e njerëzve për të mbajtur armë nuk duhet të cenohet”.

Gjykata e Lartë e SHBA-ve vendosi për herë të parë në qershor se amendamenti i dytë garantonte një të drejtë individuale për të mbajtur armë në publik për vetëmbrojtje.

Po ashtu vendimi urdhëroi gjyqësorin federal të aplikonte një test “vetëm historik” kur shqyrtonte sfidat ndaj rregulloreve të armëve, duke thënë se një rregullore ishte kushtetuese vetëm nëse ishte e ngjashme me ato rreth shekullit të XVIII-të kur u ratifikua amendamenti.

Ndërkaq, gjyqtari Mark Pittman vendosi se nuk kishte traditë historike për të ndaluar të rinjtë të mbanin armë në publik, në një opinion që citonte vazhdimisht vendimin e ri të Gjykatës Supreme.

Ai e pezulloi vendimin e tij për 30 ditë për të lejuar Texas-in të parashtrojë një apel.

Duke e konsideruar ndalimin jo kushtetues, Pittman shkroi se “provat e padiskutueshme historike vërtetojnë se 18-20-vjeçarët kuptoheshin se ishin pjesë e milicisë në epokën e themelimit”.

Avokatët nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Texas-it kishin argumentuar pa sukses se kishte një bazë historike për të përcaktuar se kush mund të mbante armë bazuar në moshë.

Koalicioni i Politikave të Armëve të Zjarrit ka bërë me dije se po sfidonte kufizime të ngjashme për të rinjtë që mbanin armë në Pensilvani, Tenesi, Illinois, Minesota, Kaliforni dhe Georgia.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore