Kosova

Gjyqtarët serbë bojkotojnë punën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë


Objekti i Gjykatës Themelore në Mitrovicë

“Jo vetëm gjyqtarët por i gjithë stafi serb e kanë bojkotuar punën”, ka treguar një burim brenda Gjykatës Themelore në Mitrovicë, për Albanian Post.

Gjyqtarët serb dhe stafi mbështetës nuk janë paraqitur fare në punë këtë të premte.

Ky veprim i gjyqtarëve të komunitetit serb vjen pasi Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin e 24 marsit 2022, ka marrë vendim që ta suspendojë kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviç, deri në një vendim të radhës.

Këshilli Gjyqësorë i Kosovës thotë se vendimi për shkarkimin e Liljana Stevanoviçit është marrë pa asnjë ndikim politik, për çka ka bërë edhe thirrje institucioneve dhe zyrtarëve publik të institucioneve që të përmbahen nga deklaratat për vendimet e KGjK-së.

“Ky Vendim është marrë sipas kërkesës së Autoritetit Kompetent për Kryetar të Gjykatave, në përputhje me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ligjin për Gjykatat, Ligjin për KGJK, Kodin e Etikës dhe Rregulloren për Procedurën Disiplinore të Gjyqtarëve”.

“Me këtë rast, KGJK thekson se, Vendimi për suspendimin e Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, është marrë në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore që ka KGJK-ja, dhe nuk paragjykon përfundimin e procedurës në raport me gjyqtaren, Stevanović. Vendimi në fjalë është marrë pa asnjë ndikim politik, prandaj me këtë rast, KGJK u bënë thirrje institucioneve dhe zyrtarëve publik të institucioneve tjera të përmbahen nga deklaratat për vendimet e KGJK-së, pasi çfarëdo deklarimi publik nuk i kontribuon pavarësisë së gjyqësorit, si pushtet i pavarur”, thuhet në komunikatën e KGjK-së.

E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të enjten ka deklaruar se kryetarja e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Lilana Stevanoviç, është suspenduar me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Shkak i këtij suspendimi sot në veri të vendit po protestohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore