Lajme

Gjyqi ndaj kryeministrit izraelit/ Prokurorja: Ka shpërdoruar detyrën dhe është i korruptuar


Liat Ben Ari, prokurorja në gjyqin e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka pretenduar se ky i fundit ka shpërdoruar detyrën dhe është korruptuar.

Netanyahu ka mohuar çdo akuzë.

Seanca dëgjimore vjen ndërsa presidenti i Izraelit takoi parlamentarët për të formuar qeverinë e ardhshme, pas zgjedhjeve të muajit të kaluar.

Pasi presidenti Reuven Rivlin, të konsultohet me të gjitha partitë, ai do të emërojë këdo që mendon se ka shansin më të mirë për të formuar një koalicion qeverisës.

Rivalët e Netanyahu-t kanë frikë se nëse zgjidhet sërish kryeministër, ai do të shtyjë legjislacionin, i cili i jep atij imunitet për aq kohë sa është në detyrë.

Kryeministri e hodhi poshtë një pretendim të tillë.

Për çfarë akuzohet Benjamin Netanyahu?

Ai është i akuzuar për tre raste, të njohura si rasti 1 mijë, 2 mijë dhe 4 mijë:

Rasti 1 mijë – Mashtrim: Kryeministri akuzohet se ka marrë dhurata, kryesisht puro dhe shishe shampanjë, nga biznesmenë të fuqishëm në këmbim të favoreve.

Rasti 2 mijë – Mashtrim:  Netanyahu akuzohet se është ofruar për të ndihmuar rritjen e shitjeve të gazetës izraelite, Yediot Ahronot, në këmbim të një mbulimi pozitiv.

Rasti 4 mijë – Ryshfet dhe mashtrim: Si kryeministër dhe ministër i komunikimeve, Netanyahu akuzohet për favorizime ndaj aksionerit kryesor të telekomit në Bezeq, Shaul Elovitch. Në në këmbim, kryeministri pretendohet të ketë marrë mbulim pozitiv nga faqja e lajmeve Walla e Elovitch-it.

Kryeministri Netanyahu i ka mohuar të gjitha akuzat kundër tij. Ai i ka quajtur si “gjueti shtrigash” akuzat e bëra nga kundërshtarët e tij politikë.

Çfarë ndodhi në seancën e së hënës?

Dhjetëra mbështetës por edhe protestues të Netanyahu-t që kërkojnë largimin e tij nga zyra, u mblodhën jashtë Gjykatës së Qarkut të Jeruzalemit ndërsa kryeministri mbërriti për fillimin e gjyqit.

Netanyahu u ul me avokatët e tij ndërsa prokurorja Ben Ari dha deklaratën e hapjes së prokurorisë. Ajo e përshkroi situatën si “një rast domethënës dhe të rëndë të korrupsionit”.

Më pas, kryeministri u lejua të largohej nga salla e gjyqit dhe dëshmitari i parë, Ilan Yeshua, ish drejtori ekzekutiv i faqes së lajmeve Walla, mori fjalën.

Dëshmia e Yeshua-s shihet si kryesore për Rastin 4 mijë. Ky rast konsiderohet si më i rëndi kundër kryeministrit, për vetë faktin se përfshin akuzën e ryshfetit.

Në shkurt, gjykatësit ranë dakord për kërkesën nga Netanyahu, që gjyqi të shtyhej deri pas zgjedhjeve. Kjo erdhi pasi kryeministri pretendonte që nëse gjyqi do të bëhej, do të ndikonte tek votimet.

Ai, gjithashtu këmbëngul se në çështjet kundër tij “mungojnë shumë gjëra, madje edhe nga këndvështrimi i prokurorisë”.

Edhe kryeministër edhe në gjyq

Ai do të dalë i pafajshëm nëse nuk provohet ndryshe. Aktualisht nuk ka asnjë pengesë ligjore që e ndalon për të ushtruar detyrën si kryeministër.

Edhe nëse del fajtor, Netanyahu nuk do të kërkohej të tërhiqej nga posti derisa të mbarojë procesi i apelimit. Gjë që mund të zgjasë me vite, shkruan kompania mediatike, BBC.

Nuk është hera e parë që në Izrael një kryeministër del para gjykatës.

Në 2008-ën ish-kryeministri, Ehud Olmert, ishte nën hetim për korrupsion.

Përfundimisht ai u dënuar për ryshfet, mashtrim dhe pengim të drejtësisë në lidhje me disa raste. Ai kreu 16 muaj burg nga një dënim fillestar prej 27 muajsh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore