Shqipëria

‘Gjyqësori dhe të drejtat themelore’, vijojnë në Bruksel takimet për kapitullin 23 të negociatave


Vijojnë me ritme intensive takimet mes delegacioneve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Shqipërisë, lidhur me hapjen e negociatave, ku në thelb vijon të qëndrojë sektori i gjyqësorit dhe të drejtave themelore, i cili përbën edhe kapitullin 23 të negociatave.

Këtë herë, kanë qenë zyrtarë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ata të cilët kanë marrë pjesë në takimet bilaterale, së bashku me kryenegociatoren shqiptare, Majlinda Dhuka.

Një prezantim nga ana e KPK-së është parashtruar para ekspertëve të Komisionit Evropian, lidhur me ecurinë e deritanishme të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, si dhe pritshmëritë për përmbylljen e tij brenda afateve kushtetuese.

Ajo çfarë është theksuar më së shumti, është fakti se prej fillimit të procesit të vetingut, deri më 23 nëntor 2022, institucioni i pavarur KPK, ka dhenë 585 vendime për subjektet e rivlerësimit.

Prej tyre, 233 kanë pasur të bëjnë me konfirmim në detyrë të 117 gjyqtarëve, 104 prokurorëve, dy ish-inspektorëve në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, një inspektori në Këshillin e Lartë Gjyqësor si edhe nëntë ndihmësve apo këshilltarëve ligjorë.

Teksa, 214 vendime, kanë qenë për shkakrkimin nga detyra të 127 gjyqtarëve, 83 prokurorëve, një inspektori në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, një inspektori në KLGJ dhe dy ndihmësve ligjorë.

Vendime ka pasur edhe për ndërprerje të procesit të rivlerësimit për 55 gjyqtarë, 21 prokurorë dhe dy ish-inspektorë në KLD.

Ndër të tjera, në veçanti, gjatë vitit 2022, Komisioni ka dhënë edhe 99 vendime, siç përshkruar nga kryetarja e KPK-së, Pamela Qirko, dhe po vijohet puna me ritëm të përshpejtuar, për të përmbyllur procesin për rreth 75% të listës së subjekteve për rivlerësim.

Në tërësi, Komisionit i mbeten edhe 220 subjekte për t’u rivlerësuar, me një afat deri në shtator të vitit 2024.

Kjo periudhë lejon edhe ankimimin nga ana e vetë subjekteve të nënshtruar ndaj procesit.

Në takimin përballë delegacionit të BE-së, ka pasur edhe një prezantim të organeve të vetingut, ku u vlerësua si thelbësor vijimi i reformës në sistemin e Drejtësisë, me në theks rëndësinë e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Nëse kjo arrihet me sukses, do të lehtësojë edhe përmbushjen e gjithë pikave të kapitullit 23 të negociatave.

Kjo pikë, është edhe ndër më të qenësishmet, pasi lidhet drejtpërdrejt me përafrimit e sistemit ligjor mes vendeve kandidate dhe atyre të Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore