Lajme

Gjykata Supreme vendos për rivotim të diasporës nga Dragashi


Ilustrim: Fletëvotimet.

Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim që përsëritet procesi i votimit nga jashtë për komunën e Dragashit.

Kështu është bërë e ditur në aktgjykimin e Gjykatës Supreme.

“Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që brenda Kornizës Ligjore në fuqi të organizojë përsëritjen e Procesit të Votimit nga jashtë, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të komunës së Dragashit”, thuhet në aktgjykim.

Dokument i lëshuar nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Ndërsa, në piken e dytë të këtij aktgjykimi bëhet e ditur se është refuzuar pjesa e ankesës së kandidatit Bexhet Xheladini.

“Refuzohet pjesa tjetër e ankesës së kandidatit Bexhet Xheladini nga subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës dega në Dragash që votat nga jashtë (me post) të përfshihen në rezultatin final të zgjedhjeve, për raundin e dytë për kryetar të Komunës së Dragashit”.

PZAP kishte aprovuar ankesën e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk kishte certifikuar rezultatet e zgjedhjeve lokale të raundit të dytë në komunën e Dragashit, pasi që PZAP mori vendim për anulimin e të gjitha fletëvotimeve të dorëzuara përmes postës për kryetar të kësaj komune.

Shaban Shabani, kandidat i PDK-së për kryetar të Dragashit

Kandidati i Partisë Demokratike e Kosovës, Shaban Shabani më 17 nëntor bëri ankesë në PZAP, pasi pretendonte se në raundin e dytë të zgjedhjeve ka pasur manipulime të cilat kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor, duke devijuar vullnetin e shumicës së zgjedhësve.

Në Dragash ishte përmbysur rezultati pas numërimit të votave të ardhura nga diaspora, duke nxjerr fitues kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovë (LDK), Bexhet Xheladini, i cili kishte marr gjithsej 244 vota, ndërsa kandidati i cili me votat e 14 nëntorit doli fitues, Shaban Shabani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nga diaspora kishte arritur të marr vetëm 54 vota.

Kjo ishte bërë e ditur pas përfundimit të numrimit të votave me postë në Qendrën e Numrimit dhe Rezultateve (QNR) për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të cilat u mbajtën me 14 nëntor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore