Gjykata Speciale

Gjykata Speciale shkon në pushim dimëror


Ilustrim

Ekipi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës, përfshirë gjykatësit e prokurorët, nga kjo e hënë (18 dhjetor) kanë hyrë në pushim dimëror. Pushimi do të zgjasë 18 ditë, deri më 5 janar 2024, njoftoi të hënën DHSK-ja, ndërsa seancën e parë pas përfundimit të pushimit, do ta ketë më 9 janar, kurse të fundit për këtë muaj më 31 janar.

“Gjatë kësaj periudhe nuk zhvillohen seanca dhe disa shërbime jo esenciale janë reduktuar në minimum. Megjithatë, gjykata mbetet plotësisht funksionale gjatë kësaj periudhe dhe puna vazhdon në të gjitha seksionet e DHSK-së. Regjistrimet janë të mundshme gjatë pushimeve dhe, përveç nëse urdhërohet ndryshe nga gjyqtarët, afatet gjyqësore vazhdojnë të ecin”.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nisi më 3 prill të këtij viti, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës. E ashtuquajtura Gjykatë Speciale shpalosi aktakuzën kundër katër ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi – për krime të pretenduara të luftës.

Në Hagë do të vazhdojë edhe procesi gjyqësor ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Pjetër Shala, gjërësisht i njohur me nofkën komandant “Ujku”, i cili akuzohet për krime të pretenduara lufte, përfshirë akuzat për torturë dhe vrasje. Shala dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi që ka arrestuar dhe keqtrajtuar 18 persona, të cilët konsideroheshin kolaboracionistë.

E aktakuza e përbashkët ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së – Sabit Januzi, Ismet Bahtijari dhe Haxhi Shala – do të dorëzohet jo më vonë se 12 janari i vitit të ardhshëm, menjëherë pas përfundimit të pushimit, pas kërkesës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e çështjeve gjyqësore ndaj tre të akuzuarve për pengim të administrimit të drejtësisë.

DHSK-ja dënoi sivjet ish-komandantin e UÇK-së, Salih Mustafa, me 22 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë, ndërsa liroi nga burgu ish-nënkryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL-UÇK), Nasim Haradinaj, nën disa kushte. Haradinaj, së bashku me ish-kryetarin e OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, u dënuan me katër vjet e gjysmë burgim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore