Kosova

Gjykata: Mbi 6 vjet do t’i duhen ZPS-së për të paraqitur provat ndaj ish-krerëve të UÇK-së


Ndërtesa e Gjykatës Speciale në Hagë

Gjykatësi në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka kërkuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe ekipet e mbrojtjes që të reduktojnë kohën e përcaktuar për paraqitjen e provave dhe pyetjeve të dëshmitarëve, teksa koha për nisjen e gjykimit po afron.

Sipas gjykatësit, nëse i referohen përllogaritjeve të paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, atëherë i bie që do të duhen mbi 6 vjet që ZPS-ja të paraqesë provat dhe të marrë në pyetje dëshmitarët.

Nga këndvështrimi i gjykatësit kjo “është e tepërt”.

Në rast se ZPS-ja vepron sipas përllogaritjeve të paraqitur, gjykatësi u shpreh se do të duhet deri në janar të vitit 2024 të përfundojnë marrjet në pytje.

Ai bëri të ditur se ZPS-ja ka paraqitur 312 dëshmitarë, që i bie 46 dëshmitarë në vit dhe për ta duhen 6.5 vjet për të përfunduar procedurat.

Nga ZPS-ja, u tha se janë duke punuar në rishikimin e kohës e paraparë, përfshirë edhe largimin e disa dëshmitarëve.

Nga ekipi mbrojtës i Thaçit u tha se vlerësimet kohore të paraqitura për dëshmitarët e mbrojtjes mund të reduktohen, pasi përllogaritjet kohore të paraqitura janë përllogaritjet maksimale.

Gjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit, është caktuar për 3 prill.

Ata akuzohen nga Dhomat e Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kurse, të akuzuarit po e ndjekin konferencën statusore përmes video-lidhjes.

Dhomat e specializuara të hënën janë duke mbajtur konferencë në rastin gjyqësor të ish krerëve të UÇK-së.

Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020.

Më 16 mars, Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ka njoftuar se i duhen 234 orë e gjysmë për të intervistuar 12 dëshmitarët e parë në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Gjatë konferencës për medie, përmes platformës Zoom, të enjten, Doyle ka bërë të ditur se në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, trupi gjykues nxori Vendimin e Gjashtë mbi Pjesëmarrjen e Viktimave më 8 mars, ndërsa tha versioni i redaktuar publik doli të premten e javës së kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore