Lajme

Gjykata Kushtetuese konfirmon se KEDS ua faturoi kundërligjshëm qytetarëve shpenzimet për komunat veriore


Gresa Caka-Nimani

Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi që Aktgjykimi i Gjykatës Supreme (9 mars 2023) se kompania kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) faturoi kundërligjshëm qytetarët e Kosovës për shpenzimin e energjisë elektrike në veri të vendit ishte i drejtë.

Gjithashtu, gjykata konfimoi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë se KEDS-i duhet t’i kompensojë qytetarët që i faturoi edhe për rrymën që nuk e kishin shpenzuar, vetëm për të mbuluar humbjet në veri. Gjykata Kushtetuese këtë e bëri të ditur të hënën nëpërmjet një komunikate për shtyp.

“Gjykata Kushtetuese, duke aplikuar kriteret dhe parimet e elaboruara përkitazi me vendimin e arsyetuar gjyqësor, dhe në veçanti duke u bazuar në interpretimin e dhënë përmes aktgjykimeve të gjykatave të rregullta… konstatoi që aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, nuk është në kundërshtim me dispozitat e kontestuara të Kushtetutës së Kosovës”.

Kolegji i Gjykatës Supreme në prill të vitit 2023 e refuzoi si të pabazuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Nga përfundimi i luftës deri në vitin 2017, qytetarët kosovarë ua paguan rrymën edhe serbëve në pjesën veriore të Kosovës.

Gjykata e Apelit, në vitin 2017, konstatoi se është e jashtëligjshme praktika që qytetarët e viseve të tjera të Kosovës të paguajnë për rrymën e shpenzuar në katër komunat në veri të Kosovës të  banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – dhe sëkëndejmi, përgjegjësia e pagesës për rrymën e shpenzuar i kaloi Qeverisë së Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 11 tetor 2021, detyroi ZRRE-në që të obligojë kompaninë kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) për kompensimin e mbi 40 milionë eurove për kosovarët, të cilët në periudhën nga viti 2012 deri në vitin 2017 ua paguan rrymën konsumatorëve serbë në katër komunat veriore të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore