Shqipëria

Gjykata e Tiranës rrëzon kërkesën e Dritan Goxhajt për të fituar lirinë


Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi masën “arrest në burg” për ish-oficerin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Dritan Goxhaj.

Ky i fundit kishte kërkuar më herët ndryshim mase, teksa ishte dënuar me “40 ditë arrest në burg”.

Mbrojtja kishte kërkuar revokim të masës arrest në burg, me argumentin se s’ka provë të re që prej ditës kur ishte dhënë masa.

Në sallën e gjyqit Goxhaj ka deklaruar se nuk kishte bërë asgjë të paligjshme.

Kujtojmë që, kërkesa për arrestimin e tij erdhi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

Institucionet e drejtësisë sqaruan se ndalimi u bë pasi Goxhaj akuzohet për kryerjen e veprave penale: “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Ai pritet të ekstradohet drejt Republikës së Kosovës, pas realizimit të procedurave nga autoritetet shqiptare.

Gjykatësi i vetëm kishte lëshuar fletë-arrestin dhe urdhëroi transferimin e tij në paraburgimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Mbretërinë e Vendeve të Ulëta (‘shteti pritës’).

Gjithashtu, gjykatësi i vetëm autorizoi kontrollimin e vendit të arrestimit dhe të vendit të banimit te tij, si edhe sekuestrimin e materialeve gjate kontrollimit të tyre.

Gjykata Speciale e Kosovës kishte lëshuar urdhër-arrest për Goxhajn, i cili ka qenë shoqërues i trupave amerikane gjatë vitit 1999.

Policia ushtroi kontroll, me kërkesë të Gjykatës Speciale, e cila më herët ka dërguar në pranga zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të Prishtinës.

Goxhaj iu bashkua UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.

Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës, konfirmoi për Albanian Post se ish-oficeri i UÇK-së u arrestua pasi dyshohet se ka kryer veprën penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.

“Mbi bazën e fletarrestimit të lëshuar nga një gjykatës i DHSK-së në lidhje me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare”, thuhet në përgjigje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore