Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Ahmetajt për sekuestrimin e vilave
Rajmonda Basha
11.05.2023 14:25Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin e bërë nga ish-ministri Arben Ahmetaj sa i përket vendimit për sekuestrimin e vilave.
Një vilë në zonën e Palasës, në jug të Shqipërisë, është sekuestruar nga SPAK, ku dyshohet se ajo është pronë e ish-bashkëshortes së Ahmetajt, i cili po hetohet lidhur me çështjen e njohur si “Inceneratorët”.
Vila e vënë nën sekuestro është e njëjta ku u kryen kontrolle më 9 mars dhe për të cilën ish-gruaja e Ahmetajt, nuk ka pranuar se është në pronësinë e saj.
Po ashtu, veprime hetimore janë kryer nga ana e Byrosë Kombëtare të Hetimit sërish, si edhe të përfshirë në aksion kanë qenë edhe efektië të Policisë së Vlorës.
Ishte SPAK që bëri me dije se Ahmetaj po hetohej më vete në rastin e njohur si çështja e inceneratorëve.
Përtej hetimeve të përgjithshme lidhur me inceneratorët, ku disa ish-zyrtarë të lartë, ku përfshihen ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako, por edhe shtetasit Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, procedimi penal mbi Ahmetajn, po trajtohet më vete.
Madje, në dosjen ndaj tij, është ndryshuar edhe prokurori hetues, ku më parë ka qenë Klodjan Braho, i cili është zëvendësuar me kërkesën e vetë atij nga prokurorja Enkeleda Millonaj.
Kjo gjë është bërë me vendimin e vetë drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, më 30 janar 2023.
“Prokuroria e Posaçme kundërshton çdo tentativë për intimidim dhe sulme personale ndaj prokurorëve të posaçëm që synon t’i kufizojë ata nga kompetenca dhe përgjegjësia e tyre për të ushtruar ndjekjen penale sipas Kushtetutës dhe ligjit”.
Ky është një tjetër paralajmërim që SPAK bën përmes njoftimit, duke ftuar edhe këdo që ka pretendime për veprime proçedurale, që t’i drejtohet organeve kompetente, si Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë.
Kontrolli i vilës në Hamallaj, Ahmetaj ankimon vendimin në Gjykatën e Lartë