Kosova

Gjykata e Apelit liron Naser Kelmendin nga akuza për trafikim me narkotikë


Naser Kelmendi.

Gjykata e Apelit e ka liruar Naser Kelmendin, nga akuza për trafikim me narkotikë për çka ishte dënuar nga shkalla e parë me 4 vite e 8 muaj burgim.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media ku thuhet se Kelmendi, është liruar nga akuza pasi nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale për çka akuzohej.

“Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, pas mbajtjes së seancës së kolegjit, e ka aprovuar ankesën e të akuzuarit N.K, të paraqitur përmes mbrojtësit të tij av.Besnik Berisha, ashtu që në bazë të nenit 363 paragrafi 1 nënpargrafi 1.3, të Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarin N.K e ka liruar nga akuza, sepse nga provat që janë administruar në shqyrtimin gjyqësor nuk provohet se ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohej me aktakuzë”, ka njoftuar Gjykata e Apelit.

Prokuroria Speciale kishte kërkuar nga Apeli dënim më të ashpër ndaj të akuzuarit Naser Kelmendi.

I njëjti më 18 maj 2023 ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 4 vjet e 8 muaj burgim për trafikim me narkotikë, ndërsa mbrojtësi i tij avokati Besnik Berisha kërkoi lirimin e tij.

“Gjykata s’kishte guxim të merrte aktgjykim lirues për Naser Kelmendin, shkak presioni publik”, thotë avokati i tij

Kush është Naser Kelmendi?

Biznesmeni nga Peja, Naser Kelmendi, bashkë me djemtë e tij, i trazonte organet e drejtësisë në rajon e më gjerë. Ai ka kohë që e ka shndërruar familjen e tij në një grup kriminal, të njohur kryesisht për trafikim të drogës e krim të organizuar.

Vite kohë kishin shpenzuar autoritetet boshnjake duke e hetuar Naser Kelmendin dhe e njohin mirë atë dhe grupin e tij. Autoritetet boshnjake ia kishin arrestuar djalin, Elvis Kelmendin.

Ai dhe disa të tjerë u prangosën në Sarajevë për krim të organizuar, lidhur me kontrabandën ndërkombëtare dhe trafikimin e sasive të mëdha të drogës, si dhe për vepra të tjera penale.

Autoritetet boshnjake kishin shkuar deri në Francë për të kërkuar ndihmë për t’u përballur me rrjetin kriminal të Naser Kelmendit. Agjencia Shtetërore e Bosnjës për Mbrojtje dhe Hetime (SIPA) në vitin 2008 kishte bërë një prezantim në Interpol, në Lyon, duke përshkruar aktivitetet e Kelmendit dhe grupit të tij.

Anëtarët e familjes Kelmendi janë përfshirë thellë në trafikun e drogës, deri në kartelet kriminale të Meksikës në Amerikën Latine.

Naser Kelmendi shkoi nga Kosova në Sarajevë pas përfundimit të luftës në Bosnjë. Autoritetet boshnjake e kishin përpara një luftë tjetër dhe targeti ishte bërë shqiptari nga Peja, që, siç tregojnë të dhënat, u bë shtetas i Bosnjës që në vitin 1998.

Kur ishte 19 vjeç, në vitin 1976, u dënua me një vit e gjysmë burgim për tentim-vrasje.

Hetuesit boshnjakë e përshkruajnë si perandori kriminale ballkanike atë që e posedon sot 64-vjeçari. Kelmendi, djemtë e tij dhe vëllai, Beqiri, drejtojnë një numër firmash në Bosnjë, Serbi e Kosovë. Dosja për ta në SIPA-n e Bosnjës është tepër e trashë.

Kelmendi, 10 vjet më parë e kishte përshkruar veten kështu: “I dua veturat. I dua femrat”.

“Jam 54 vjeçar e droga nuk më ka interesuar kurrë. Jam thjesht një biznesmen”, pati thënë për Vijest-in malazez.

Por policia e Bosnjës thoshte se kolegët e tyre në mbarë Evropën e dinë historinë e Naser Kelmendit dhe grupit të tij.

Në listën e zezë të SHBA-së

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e futën Naser Kelmendin dhe familjen e tij në listën e zezë në qershor të vitit 2012, me vendim të presidentit të atëhershëm amerikan, Barack Obama.

Shkaku ishte se drejtonte një rrjet familjar që shpërndante heroinë dhe droga të tjera përmes Afganistanit në Turqi dhe Europë.

Krahas liderit të kartelës meksikane të drogës, Hoze Antonio Sota Gastemula, dhe atij të tregtarit afgan, Sajed Vazir Shah, Kelmendi llogaritet si personi më i rrezikshëm në Europë për interesat amerikane.

Me këtë rast, Banka Federale e Shteteve të Bashkuara përmes Interpolit kishte kërkuar ngrirjen e të gjitha aseteve të Naser Kelmendit në Mal të Zi.

Biznesmeni nga Peja, Naser Kelmendi, bashkë me djemtë e tij, vazhdon t’i trazojë organet e drejtësisë në rajon e më gjerë. Ai ka kohë që e ka shndërruar familjen e tij në një grup kriminal, të njohur kryesisht për trafikim të drogës e krim të organizuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore