Shqipëria

Gjykata dënon me burgim të përjetshëm Kristjan Cenaj, autori i vrasjes dhe groposjes së 16-vjeçarit Mariglen Gjonaj


Gjykata e Lezhës ka dënuar me burgim të përjetshëm 32-vjeçarin Kristjan Cenaj, i cili është gjetur fajtor për vrasjen e groposjen e 16-vjeçarit Mariglen Gjonaj në Mamurras.

Vendimi është dhenë nga trupa gjykuese, e kryesuar prej gjyqtarit Aldi Kareço, teksa e njëjta masë dënimi ishte kërkuar nga prokurori i çështjes, Françesk Ganaj, i cili arriti të provojë përfshirjen e Cenajt në krimin makabër.

Prokuroria kishte kërkuar edhe “aplikimin e periudhës së sigurisë”, që nënkupton se “ edhe pasi të bënte 35 vite burg, të mos i jepej mundësia për lirim me kusht”, por kjo nuk është pranuar nga gjykata.

Avokati i familjareve të viktimës, Eduart Mullaraj, u shpreh i kënaqur me vendimin, por kërkon zgjerim të hetimeve, pasi në këtë krim janë të përfshirë edhe persona të tjerë sipas tyre.

Vrasja e 16-vjeçarit Mariglen Gjonaj u zbardh katër muaj pasi ju gjetën eshtrat të groposura në një zonë me ferra dhe shkurre në zonën e Fushë-Kuqes në Kurbin, dhe shtatë vite nga zhdukja e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore