Shqipëria

Gjykata e Posaçme cakton 2 avokatë nga shteti në gjyqin për Laert Haxhiun


Gjykata e Posaçme ka caktuar këtë të enjte të 2 nëntorit dy avokatë të tjerë për Laert Haxhiun, teksa u revokua avokatja e caktuar më herët nga shteti Pranvera Doçi.

Dy avokatët do të jenë Artan Simoni dhe Edvis Gorishti.

Sakaq, Doçi ka bërë me dije se për shkak të një fatkeqësie familjare nuk mund ta ndiqte procesin për shkak të dosjes voluminoze.

Ndërkohë Detar Hysit, avokati me prokurë të posaçme nga familjarët e Haxhiut, i rrëzohet kërkesa për dorëheqje nga mbrojtja.

Mosparaqitja e tij të mërkurën në seancë, u shoqërua me ndëshkimin administrativ prej 5 mijë lekësh të rinj.

Ndërkaq, gjyqi në GJKKO u shty për datën 17 nëntor në orën 11:00.

Ka mbetur për tu pyetur edhe një dëshmitar nga prokuroria dhe më pas do jetë radha e dëshmitarëve të mbrojtjes.

Më parë, Prokuroria e Elbasanit ka shpallur moskompetencë për hetimin dhe gjykimin e dosjes së grupimit të Laert Haxhiut – i shumëkërkuari shqiptar, i cili pritet të ekstradohet nga Greqia, pas vendimit të Apelit të Gjykatës së Janinën.

Sipas Prokurorisë së Elbasanit, është SPAK, organi i cili ka kompetencën sipas ligjit, që të hetojë grupet kriminale.

Apeli i Gjykatës së Janinës mori vendimin për ekstradimin e të shumëkërkuarit të drejtësisë, Laert Haxhiu, drejt Shqipërisë, më 18 tetor.

Më parë, Gjykata e Janinës kishte rrëzuar po ashtu kërkesën e Prokurorisë shqiptare për ekstradimin e tij.

Haxhiu, sipas arsyetimit të Gjykatës së Janinës asokohe, do të qëndrojë në burg me akuzat për largim nga vendi i aksidentit dhe prishje të qetësisë publike – vepra këto të cilat çuan në arrestimin e tij.

Vendimin më pas e ekstradoi Prokuroria themelore e Janinës, për t’u gjykuar lidhur me veprat penale që akuzohet në vend, sa i takon ngjarjes së njohur si “masakra e Lushnjës”.

Sipas avokates së tij gjithsesi, Haxhiu nuk i pranon akuzat e vrasjeve në Lushnje në vitin 2017, nuk pranon ekstradimin në Shqipëri dhe kërkon të qëndrojë në Greqi.

Si u arrestua Haxhiu?

Sipas autoriteteve, Laert Haxhiu 31 vjeç nga Lushnja dhe Juxhin Barjami 35 vjeç nga Delvina, po udhëtonin së bashku me një shqiptar 22 vjeç, i cili rezulton i kërkuar në Shqipëri për “plagosje të rëndë me dashje” në bashkëpunim.

Haxhiut policia greke i ka gjetur një kartë false identiteti greke dhe pas verifikimeve ka rezultuar i kërkuar nga INTERPOL Tirana.

Ndaj tre të arrestuarve janë ngritur akuzat “shkelje të ligjit mbi emigrantët”, “falsifikim”, “mosbindje” dhe “deklarim i rremë”.

Atyre u janë sekuestruar 1 mijë e 400 euro dhe 4 celularë si dhe mjeti BMË X6 i Juxhin Barjamit.

Për çfarë akuzohet në Shqipëri?

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në vitin 2017, e ka dënuar Haxhiun me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në mars 2023, lidhur me të njëjtën ngjarje, Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së duke dënuar me burgim të përjetshëm autorët e masakrës së Lushnjës, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha.

Dy autorët, Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, janë akuzuar për vrasjen e tyre të kryer në vitin 2017.

Në atentatin për vrasjen e Xhulio Shkurtit, nipit të Aldo Bares u plagosën Bujar Turku e Marjus Xhepexhiu.

Ndërsa Laert Haxhiu vijonte asokohe të ishte në kërkim, teksa hetimi ndaj tij ishte pezulluar dhe në bazë të Kodit të ri pas një viti riniste procesi në mungesë.

Por, me kapjen rishtazi, ai vihet në dispozicion të drejtësisë shqiptare për gjykim tashmë.

Bilbili dhe Kaloshi u dënuan si autorë të masakrës së Lushnjës, ku vranë Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën më 11 tetor 2017 në Lushnjë, por u shpëtoi shënjestra, Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, kreu i bandës së Lushnjës.

Në këtë atentat u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku.

Veç akuzës së vrasjes në rrethana cilësuese të një ose më shumë personave, Bilbili akuzohet për “Kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit kriminal”.

Anterio Kaloshi u arrestua më 13 gusht, pasi bashkë me të tjerë qëlluan me kallashnikov drejt Hotel Volorekës në Pogradec më datë 8 gusht, ku Kaloshi kishte rolin e ekzekutorit.

Ndërkaq, Orges Bilbili u kap më datë 10 prill në zonën e Xhamllikut në Tiranë, i cili u plagos nga polici pasi tentoi të largohej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore