Lajme

Gjurmuesit e fluturimit janë ‘hiti i verës’


Dëshironi të shikoni drejtpërdrejt një fluturim qeveritar top-sekret? Të gjurmoni lëvizjet e një bosi droge në kohë reale? Apo e dini se sa shumë po e ndotin ajrin avionët e Taylor Swift?

Të martën, rekorde të reja u regjistruan në “Flightradar24”, një nga faqet më të mëdha të gjurmimit të fluturimeve në botë. Kjo ndodhi pasi njerëzit vëzhguan fluturimin shtatë-orësh të Nancy Pelosi nga Kuala Lumpur në Taipei.

Udhëtimi, i cili ishte i fshehtë deri në momentet e fundit, tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare pasi Kina bëri kërcënime ushtarake në javët para vizitës dhe më pas nisi stërvitjet pasi ajo u largua.

Shumë tajvanezë ishin “si të ngjitur” pas gjurmuesve të fluturimit. Njëri më tha se fëmija i mikut të tyre kishte kërkuar të rrinte zgjuar deri vonë për të parë gjurmuesin drejtpërdrejt, “si të ishte numërimi mbrapsht i vitit të ri”.

Ian Petchenik, kreu i komunikimit për “Flightradar24”, tha se faqja kishte parë “interesim të paprecedentë” për fluturimin e Pelosit dhe në kulmin e tij, rekordi ishte 708 mijë persona, që po shihnin njëkohësisht ikonën e vogël të kuqe që përfaqëson Boeing C-40C.

SPAR19 – ndërsa rrotullohej rreth Filipineve për të anashkaluar bazat kineze në Detin e Kinës Jugore, më pas u ngjit në ngushticën e Luzonit, siç thuhet nën mbulesën vigjilente të një treshe aeroplanmbajtësesh amerikane, dhe u hodh nëpër vargmalet malore të Tajvanit përpara se të zbriste në Taipei.

Sasia e trafikut e bëri “Flightradar24” të paqëndrueshëm për disa përdorues dhe faqja u detyrua të kufizonte aksesin në pika të caktuara. Në total, 2.92 milionë njerëz u akorduan për të parë një pjesë të fluturimit të saj, rreth tre herë më shumë se sa e ndoqën atë në “CNN” në kohë reale.

“Flightradar24” ka pasur disa momente të tjera të mëdha suksesi kohët e fundit. Afërsisht 550 mijë shikues gjurmuan fluturimin e liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny, ndërsa ai u kthye në Moskë në 2021 për t’u përballur me burgim.

Mijëra të tjerë gjurmuan një forcë ajrore amerikane Global Hawk që udhëtonte rreth Ukrainës gjatë pushtimit rus përpara se të fluturonte mbi Detin e Zi.

Shikuesit përdorën gjithashtu këtë faqe për të ndjekur evakuimin kaotik të SHBA-ve nga Afganistani.

Apeli është i thjeshtë, tha Petchenik.

“Ju mund të merrni pjesë në histori në kohë reale. Nëse gazeta është drafti i parë i historisë, atëherë ky është parashkrimi”.

Të dhënat e gjurmuesit të fluturimit praktikisht nuk kanë vonesë. Një tjetër tërheqje, thotë Petchenik, është përvoja e shikimit të fluturimeve me të tjerët dhe diskutimi i tyre në rrjetet sociale.

Nuk janë vetëm ngjarjet globale të lajmeve që shkaktojnë rritje në trafikun e faqes. Me afrimin e ditës së afatit të transferimeve, ai gjithashtu bëhet një mjet thelbësor për sportdashësit.

“Ne shohim interesin më të madh gjatë afatit kalimtar të futbollit evropian”, tha Petchenik.

“Ekipet kanë baza shumë të përkushtuara të tifozëve. Ata do të kuptojnë se në cilin fluturim është lojtari i tyre i preferuar dhe do ta ndjekin atë fluturimthi”.

Çdokush mund të konfigurojë një marrës ADS-B duke përdorur komplete të lira. Kjo i mundësoi Flightradar24 të shkojë nga disa marrës në Suedi, kur u themelua faqja në vitin 2007, në një rrjet të madh me më shumë se 30 mijë marrës në mbarë botën, shumë prej tyre të drejtuar nga vullnetarë.

Marrësit kanë një rreze prej disa qindra miljesh, megjithëse kanë vështirësi me terrene të tilla si malet.

Për të mbyllur boshllëqet, Flightradar24 ndërlidh marrësit e tij në tokë me të dhëna nga burime të tjera, duke përfshirë satelitët dhe të dhënat nga Administrata Federale e Aviacionit (FAA) në SHBA.

Rrjeti i Streufert lejon përdoruesit të vëzhgojnë fluturimet që njerëzit e fuqishëm duan të mbahen sekret.

Një herë, Streufert mori një letër nga një avokat evropian, i cili kërkonte ADS-B Exchange të ndalonte gjurmimin e fluturimeve të klientit të tij.

Pasi kërkoi të dhënat e fluturimit, Streufert kuptoi se, “djali dikur punonte për Gaddafin. Ai është akuzuar për krime lufte dhe vrasje të njerëzve”.

Të dhënat e ADS-B Exchange u bënë tituj këtë verë kur një organizatë jofitimprurëse mjedisore i përdori ato për të vlerësuar emetimet e karbonit të prodhuara nga yjet duke përfshirë Drake, Kylie Jenner, Travis Scott dhe Taylor Swift – e cila është përgjigjur se avioni i saj “u jepet shpesh individëve të tjerë hua”.

Shkruar nga gazetari Wilfred Chan për The Guardian, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore