Kosova

Gjuriç njofton se Serbia ka nisur fushatën diplomatike për serbët në Kosovë


Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriç, të shtunën, ka takuar ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian në Serbi, të cilët, siç raportojnë mediat serbe, i ka njoftuar për, siç pretendon ai, “shkeljet e të drejtave njerëzore dhe politike të serbëve në Kosovë”.

Pas përfundimit të takimit, kryediplomati serb, ka njoftuar se nga e shtuna e 14 shtatorit ka nisur fushata diplomatike globale “për shpëtimin, mbijetesën dhe të drejtat e popullit serbë në Kosovë”.

“Fjalimi i mbrëmshëm i presidentit Vuçiç shënoi një epokë të re dhe një fazë të re në luftën për interesat serbe në Kosovë dhe në luftën për të drejtat e popullit tonë. Ai shënoi investime të reja të Qeverisë së Serbisë në qëndrueshmërinë ekonomike të komunitetit tonë përmes përcaktimit të ndihmës së veçantë për njerëzit tanë që jetojnë në Kosovë”, ka potencuar Gjuriç.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka njoftuar për pesë lëvizje të reja që ai dhe shteti i Serbisë do t’i ndërmarrin në raport me Kosovën, në një seancë të jashtëzakonshme të paralajmëruar 72 orë më parë, derisa tha se sa i përket politikës së shpalljes “pjesë e okupuar Kosovën”, nuk kanë marrë vendim akoma, meqë “ekspertët juridikë ishin kundër”.

Në fjalimin e tij të shoqëruar edhe me disa pamje të shfaqura në monitor me pikat kryesore, ai tha se lëvizjet e reja janë: “Status Quo-ja”, “Kosova zonë e mbrojtjes së veçantë”, pastaj “rezistencë e institucioneve serbe ndaj Kosovës”, “krijimi i një prokurorie speciale” dhe “vendim për paligjshmërinë e të gjitha organeve dhe institucioneve arsimore në territorin e Kosovës pas shpalljes së paligjshme të pavarësisë dhe mosekzistencës së të gjitha akteve të tyre që janë miratuar ose do të miratohen”.

Vuçiç deklaroi gjithashtu se sulmi nuk është opsion, meqë ishte vetë Serbia që humbi më shumë se kushdo tjetër në luftërat në ish-Jugosllavi.

“Në atë kohë ne nuk kemi kuptuar mirë gjithçka dhe për këtë kemi paguar çmimin”, pohoi ai.

“Po sulmohemi krejtësisht ilegalisht që dikush të realizojë interesat e tij, edhe pse nuk duhet të anashkalojmë faktin se një numër i konsiderueshëm shqiptarësh kanë vdekur tragjikisht, gjë që nuk duhet ta harrojmë nëse duam të jemi objektivë dhe të denjë”, deklaroi Vuçiç.

Duke folur për situatën në Kosovë, ai pohoi se “në periudhën e ardhshme mund të presim vetëm lajme më të këqija, jo më të mira, sepse zgjedhjet (në Kosovë) po vijnë”, tha Vuçiq.

Por, shtoi se “nuk kemi të drejtë të zhgënjehemi nga gjithçka që kemi përjetuar nga Perëndimi”.

Kthimi në “Status Quo”

Vuçiç deklaroi se “ne kërkojmë një kthim në Status Quo Ante duke hequr pasojat kryesore të veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara të regjimit të Kurtit, që është një parakusht i domosdoshëm për përparim domethënës në procesin e dialogut”.

Ai shtoi se “për këtë do të nis një fushatë diplomatike globale në të cilën do të përcillet pritshmëria se në të ardhmen e afërt do të përmbushen shtatë supozimet e nevojshme për përparim në dialog”.

Këto 7 pika, siç deklaroi Vuçiç, janë:

1) Thirrja dhe mbajtja e zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike në veri të Kosovës me pjesëmarrjen e misionit të OSBE-së dhe kontrollin e BE-së;

2) Zbatimi i nenit 9 të Marrëveshjes së parë të Brukselit përmes kthimit kolektiv të serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Veri;

3) Kthimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksione gjyqësore;

4) Tërheqja e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga bazat dhe pikat e kontrollit të ndërtuara ilegalisht në veri të Kosovës, si dhe tërheqjen e tyre nga të gjitha institucionet që ofrojnë shërbime jetike publike dhe administrative për qytetarët nga viti 1999 deri në mbylljen e tyre të paligjshme në vitin 2024;

5) Formimi urgjent, urgjent dhe përfundimtar i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pa shaka dhe lojëra të mëtejshme politike, na është e qartë se për 12 vjet ishte vetëm një lojë për të blerë kohë, me qëllim që Asociacioni të mos formohet kurrë dhe kjo me këtë i anulon të gjitha të drejtat e serbëve. Kjo konkretisht nënkupton miratimin e draftit përfundimtar të statutit të Asociacionit në mënyrën e përcaktuar me Rregulloren e Punës së Ekipit Menaxhues, nga përfaqësuesit e komunitetit serb në veri të Kosovës të zgjedhur në mënyrë demokratike;

6) Zbatimi i menjëhershëm i garancive të Bashkimit Evropian dhe SHBA nga 28 dhjetor 2022 dhe lirimi i menjëhershëm i të gjithë të burgosurve politikë që u arrestuan nga Policia e Kosovës për aktivizmin e tyre demokratik, qytetar apo politik – dhe veçanërisht të arrestuarve për pjesëmarrje në protesta/barrikada paqësore;

7) Mundësimi i menjëhershëm i transaksioneve të pandërprera të pagesave dhe shërbimeve postare.

“Këto kërkesa do të përcillen në aktivitetet e ardhshme ndërkombëtare që do të përfshijnë bisedime dhe ngjarje të veçanta brenda sistemeve të OKB-së dhe OSBE-së, si dhe ngritjen e vetëdijes për shkeljen e të drejtave të njeriut”, pohoi Vuçiç.

Hapi i dytë, në këtë politikë “të re” të Vuçiç-it, tha se është “Kosova, zonë e mbrojtjes së veçantë sociale”.

“U ra dakord që Kuvendi Kombëtar i Republikës së Serbisë brenda 45 ditëve të miratojë një ligj që do ta shpallë Kosovën si zonë të mbrojtjes së veçantë sociale, e cila do të garantojë të drejtën për mbështetje financiare për të papunët”.

“Ky ligj do të rregullojë dhe kufizojë në mënyrë specifike shitjen e pasurive të paluajtshme (duke kufizuar shitjen e pasurive të paluajtshme për individët që janë përfitues të përfitimeve të ligjit)”, pohoi Vuçiç.

Veprimi, apo hapi i tretë i prezantuar nga Vuçiç, ishte që “institucionet dhe organet e përkohshme serbe në Kosovë nuk do të shfuqizohen dhe as mbyllen, gjë që do ta pengojë Aljbin Kurtin të arrijë qëllimin e tij kryesor politik – të dëbojë dhe eliminojë plotësisht institucionet e Serbisë dhe serbëve në Kosovë”.

“Për të zbutur veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të regjimit të Kurtit, të drejtuara kundër institucioneve dhe autoriteteve të përkohshme serbe, pikërisht pranë vijës administrative, në zonat e banuara të Rudnicës dhe Ribariqit, do të hapet një zyrë, ku serbët nga veriu i Kosovës do të kenë qasje në ushtrimin e të drejtave të tyre nga domeni i mbrojtjes sociale dhe përmes së cilës do të ofrohen shërbime jetike publike dhe administrative për qytetarët”, thuhet në faqet që prezantoi para mediave presidenti serb.

Lëvizja e katërt e prezantuar nga Vuçiç ishte njoftimi që “është rënë dakord që brenda 45 ditëve Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë të miratojë Ligjin për Organizimin e Juridiksionit të Organeve Gjyqësore të Republikës së Serbisë për Kosovën, i cili do të themelojë një Prokurori të posaçme për ndjekjen penale të keqpërdorimeve dhe shkeljeve të të drejtave themelore të njeriut, uzurpimit të pronës, kërcënimeve të integritetit trupor dhe dinjitetit të qytetarëve të Republikës së Serbisë në zonën e Kosovës”.

“Prokuroria do të ketë detyrë të veçantë hetimin dhe ndjekjen penale të veprave penale dhe të kundërligjshme të punonjësve dhe zyrtarëve të Kosovës”, tha Vuçiç.

Lëvizja e pestë, siç e shpalosi Vuçiç, ishte “vendimi për paligjshmërinë e të gjitha institucioneve në Kosovë të themeluara pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë”.

Presidenti i Serbisë tha se “Kuvendi do të marrë vendim për paligjshmërinë e të gjitha organeve dhe institucioneve të themeluara në territorin e Kosovës pas shpalljes së paligjshme të njëanshme të pavarësisë, si dhe mosekzistencën e të gjitha akteve të tyre që kanë kaluar ose do të kalohen”.

“Kjo do të vërtetojë se të gjitha aktivitetet, aktet e njëanshme dhe të pakoordinuara të atyre organeve janë juridikisht inekzistente dhe nuk mund të prodhojnë pasoja juridike apo efekte juridike”, thuhet në këtë pikë.

Vuçiç shtoi se “një procedurë e ngjashme është ndërmarrë edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur ligji shpalli të pavlefshme dispozitat ligjore të miratuara para 6 prillit 1941 dhe gjatë pushtimit”.

“Për okupimin s’kemi marrë vendim akoma” – Vuçiç prezanton 5 “lëvizjet e reja” në raport me Kosovën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore