Gjukanoviç s’ka mundësi të shpërndajë parlamentin, thotë Abazoviç

SHFLETO
Valon Rashiti
20.12.2022 16:22
Loading Icons...

Kryeministri i Malit të Zi me mandat teknik, Dritan Abazoviç, ka thënë se presidenti Milo Gjukanoviç, nuk mundet ta shpërndajë Kuvendin.

“Kushtetuta është shumë e qartë dhe Gjukanoviç sipas Kushtetutës nuk e ka atë mundësi. Ai do ta kishte nëse do t’ia kishte dhënë mandatin liderit të Demos në shtator”, tha Abazoviç gjatë një konference për media.

“Ka mundësi që e shkelin ligjin. Nuk mendoj se është mirë, por le të presim. Sipas meje, Kushtetuta është e qartë dhe kjo mundësi nuk ekziston në këtë situatë”, shtoi ai.

Abazoviç theksoi se çështja e negociatave është se si do të duket Qeveria e ardhshme, duke shtuar se duhet të shihet se cila është tema e diskutimit dhe cila është platforma e negociatave.

Më 16 dhjetor, Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka nënshkruar të premten Ligjin e ndryshuar për Presidentin e Shtetit, i cili u votua për herë të dytë në Kuvend të hënën e 12 dhjetorit, por s’do ta thërras Miodrag Lekiç’in, mandatar për formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi nga “Fronti Demokratik”.

Këtë e pati bërë të ditur Gjukanoviç në një konferencë për media, sepse siç theksoi ai, nuk ka dashur të bëjë atë që bëri shumica parlamentare – ta shkelë Kushtetutën.

“Është përmbushur obligimi kushtetues, pavarësisht se shumica parlamentare ka vepruar në mënyrë antikushtetuese. Unë nuk do të bashkohem me ata që e shkatërrojnë Kushtetutën dhe nuk do të marr pjesë në të”.

Pavarësisht thirrjeve publike për zgjedhjen e gjyqtarëve, përfaqësuesit e partive parlamentare nuk arritën tek konsensusi dhe të zgjidhnin të paktën një gjyqtar, për të zhbllokuar gjykatën.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese është pa kuorum për vendimmarrje që nga mesi i shtatorit të këtij viti, madje edhe nëse së shpejti shpallet konkursi i ri për gjyqtarë, Mali i Zi edhe në vitin e ardhshëm mund të hyjë me një Gjykata Kushtetuese jofunksionale.

Gjukanoviç nënshkruan Ligjin për Presidentin, por Lekiç’in s’do ta thërrasë për konsultime