Lajme

Gjuha jo diplomatike e diplomates: S’e lusim Greqinë për njohje


Donika Gërvalla

Për Ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, njohja e Kosovës nga Greqia nuk është e domosdoshme, por nëse një gjë e tillë ndodh atëherë ajo është e mirëseardhur.

“Kosova nuk do i lutet shtetit grek që ta njoh subjektivitetin e saj”, kështu është deklaruar kryediplomataja kosovare, e cila gjatë vizitës së saj zyrtare në Greqi ka dhënë një intervistë për mediumin helen, To Vima.

Sipas saj, pavarësia e Kosovës është e njohur nga shumica e anëtarëve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, dhe se për rajonin do ishte një veprim racional nëse pesë shtetet mos-njohëse të BE-së -përfshirë këtu edhe Greqinë- do e pranonin subjektivitetin e Kosovës.

“Kjo do t’i shtynte aktorët në rajon dhe ata që ende po përpiqen të destabilizojnë këtë pjesë të Evropës, të rillogariteshin dhe të pajtoheshin me këto realitete të reja”, ka potencuar Gërvalla.

Shefja diplomacisë kosovare thotë se Kosova është në kërkim të rrugëve për të krijuar marrëdhënie të ngushta me Greqinë, pasi sipas saj shteti helen është “një aktore e rëndësishëm dhe e mençur në Ballkan”.

“Me fqinjin tonë Greqinë, ne ndajmë një histori të gjatë dhe vlera të përbashkëta evropiane. Afrimi me të që është djepi i demokracisë do të thotë shumë për ne. Ne jemi mjaft optimistë për marrëdhëniet tona me Greqinë. Ne të gjithë jemi të interesuar për stabilitet dhe për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe politik me shtetin helen”, vazhdon ajo.

Gërvalla, shpreson se Greqia do të përpiqet të ndihmojë dialogun Kosovë-Serbi me propozime konkrete për zgjidhjen e kësaj çështjeje, në atë mënyrë që të dy vendeve të pavarura të ju hapet rruga evropiane.

“Greqia si një partner me përvojë duhet ta bindë Serbinë që të përmbahet nga veprimet ekstreme. Ne i besojmë qeverisë greke që ajo mund të luajë një rol thelbësor si një avokat për stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajon”, ka thënë ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore